E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau bashkëfshatarin për delet, arrestohet

Lushnje- Arrestohet autori i vrasjes së bashkëfshatarit. Pasi ka qëndruar i fsheshur për gjithë ditën e djeshme, policia ka vënë në pranga Lutfi Sharkën, i cili mëngjesin e djeshëm vrau me thikë 33-vjeçarin Ilir Leka, pas një sherri për bagëtitë.
Ngjarja
Një dele e mbajtur 'peng', si kërcënim që bashkëfshatari të merrte masa për të mos lejuar që bagëtitë e tij t'i prishnin të mbjellat në arë, i ka kushtuar jetën 33-vjeçarit Ilir Leka, nga Hysgjokaj i Lushnjes. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur tentativa për sqarim mes dy bashkëfshatarëve ka përfunduar me një viktimë. Zanafillë është bërë tufa e bagëtive të Lutfi Sharkës (autorit), të cilat, sipas dëshmive të mbledhura e kishin bërë të udhës të kullotnin në arat e viktimës. Pas këtij shqetësimi, Leka ka mbajtur peng një dele të Sharkës, tufa e të cilit si zakonisht ishte futur edhe mbrëmë në pronën e tij.
Ka qenë ora 08.30 e mëngjesit të sotëm kur viktima, baba i dy fëmijëve sapo ishte kthyer nga serat e tij është thërritur nga bashkëfshatari, Sharka. Të dy bashkë janë ndalur në hyrje të banesës së Sharkës, ku ky i fundit ka kërkuar të sqarohen. Fillimisht kanë nisur të debatojnë, por duket se më pas situata është tensionuar, deri në përdorimin e armës së ftohtë. Sharka ka goditur tre herë me thikë mbi Lekën dhe kur e ka parë atë të gjakosur është larguar me vrap.
Viktima ka mundur të bëjë ca metra, ashtu i plagosur si ishte, ka hyrë në derën e shtëpisë së tij dhe i ka treguar gruas emrin e personit që e plagosi. Më pas ka rënë përtokë. Gruaja, e alarmuar ka kërkuar ndihmë për të transportuar në spital, por ai ka gjetur vdekjen gjatë rrugës, pa mundur të marrë ndihmën e parë.
***
Policia pas njoftimit të marrë ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Një grup hetimor i posaçëm ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që policia është angazhuar për gjetjen e autorit. Në akset hyrëse dhe dalëse të zonës janë ngritur postblloqe policie, ndërkohë që forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë qenë gjithë ditën në qarkullim.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›