Ish të përndjekurit: Festat e fundvitit, në grevë urie
Edhe pse instancat qeveritare janë në dijeni të gjendjes së rënduar shëndetësore të grevistëve prej gati dy muajsh, nuk kanë dhënë ende asnjë përgjigje zyrtare në lidhje me kërkesat e tyre. Indiferenca e tyre, siç shprehen vetë grevistët, po i detyron ata të mos tërhiqen. Edhe pse po afrojnë festat e fundvitit, kjo çështje ka mbetur ende e pazgjidhur. Për pasojë, ish të përndjekurit politikë do ta kalojnë Vitin e Ri dhe Krishtlindjet nën "çatinë" e çadrës që ka qenë streha e tyre për 51 ditë me radhë. Ish të burgosurit politikë të sistemit komunist kanë vite që nuk i shfaqin kërkesat e tyre, për shkak se kanë pritur që një ditë edhe shteti shqiptar, ashtu si çdo shtet tjetër, të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë përpara qytetarëve të tij. E, megjithatë, kjo, sipas grevistëve, nuk ka ndodhur e nuk ka për të ndodhur ndonjëherë në një vend si Shqipëria. Ata kanë pranuar të heshtin për vite me radhë. Por, kësaj radhe, gjithçka është ndryshe, theksojnë ata. Grevistët kanë vendosur të mos dorëzohen deri kur të kenë nisur negociatat mes tyre dhe organeve qeveritare. Ata duan të ulen në një tryezë të përbashkët për të diskutuar rreth kërkesave që ato kanë dhe pakënaqësive që ka shteti në lidhje me këtë.
Sh.Me