Ish të përndjekurit: Të dënohen persekutorët
Shoqata e të Përndjekurve Politikë i kërkon Kuvendit që të miratojë sa më shpejt ligjin e dosjeve. Ish të përndjekurit shprehen të pakënaqur me ndëshkimin që parashikon ky ligj për ish-persekutorët e tyre, duke mos e konsideruar dënim të mjaftueshëm largimin nga puna, por duke kërkuar burgim për autorët e krimeve të komunizmit. "I bëjmë thirrje së djathtës e së majtës në Kuvend, të këmbëngulin që ky ligj të miratohet sa më parë, pavarësisht se ky ligj duhet të ishte me sanksione më të rënda për ish-persekutorët tanë, gjykatësit dhe prokurorët që dënuan me vdekje poetët, deputetët, fjalën e lirë dhe nuk mund të bëjnë më drejtësi në demokraci", thuhet në komunikatën për shtyp të ish të përndjekurve politikë. Sekretarja e kësaj shoqate, Liljana Ndoci, sqaroi se "këta zotërinj, duke pretenduar se ligji shkel Kushtetutën shqiptare dhe Rezolutën e KE-së për dënimin e Krimeve të Komunizmit, po i dalin zot krimeve monstruoze të komunizmit, duke i bërë kështu avokaturën më të turpshme sistemit më çnjerëzor që ka njohur njerëzimi që nga lindja e tij". Kuvendi, në seancën plenare të 15 dhjetorit, debatoi rreth këtij projektligji vetëm me diskutimet e deputetëve të mazhorancës. Përfaqësuesit e opozitës së majtë refuzuan të bëhen pjesë e këtij debati, pasi kërkuan tërheqjen e projektligjit nga mazhoranca, i cili, sipas tyre, është antikushtetues. "I bëjmë thirrje Kryetares Jozefina Topalli, Kryeministrit Berisha të këmbëngulin që ky ligj të miratohet sa më parë, pavarësisht nga fakti se ky ligj duhet të ishte me sanksione më të rënda për ish-persekutorët tanë", citohet në deklaratën e ish të përndjekurve.