E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ortakja e Argitës, dëshmi fshehtas për dosjen "Fazliç"

Në fshehtësi të plotë,
avokatja e Damir Fazliç,
Flutura Kola, ka
dhënë shpjegime në
Prokurorinë e Tiranës, duke evituar
kështu mediat. Në fakt, "loja" e
prokurorisë me organet mediatike
kishte filluar disa ditë më parë.
Pjesëtarë të grupit hetimor do të
deklaronin gjatë prononcimeve
jozyrtare se avokatja e Damir Fazliç
do të thirrej në fillim të javës
tjetër. Disa hetues të tjerë do të
deklaronin se avokatja do të thirrej
ditën e premte në orët e paradites.
Pra, një skenar i mirëmenduar
pas gjithë këtij dizinformimi po
luhej nga hetuesit e çështjes. Sipas
burimeve konfidenciale nga
prokuroria, mësohet se Flutura
Kola, ka pranuar të dëshmojë me
një kusht: të mos filmohej duke
hyrë dhe dalë nga organi i akuzës.
Kushti është plotësuar nga grupi
hetimor, të cilët pranuan lojën e
dëshmitares, duke publikuar në
media, ditë dhe orare të ndryshme
për thirrjen e saj. Dje më në fund,
grupi hetimor ka pranuar të bashkëpunojë
zyrtarisht rreth disa elementëve
të dëshmisë së Flutura
Kolës për organin e akuzës.
Dëshmia e fshehtë
Ditën e enjte, rreth orës 19:00,
avokatja është paraqitur në
sportelin e akuzës së Tiranës, nga
ku është ngjitur në zyrën e
prokurorit të çështjes, Besnik Cani.
Gjatë dëshmisë 120 minutëshe,
Kola ka dhënë të gjitha detajet e
shitjes së kompanisë "Crown Acquisitions",
duke përjashtuar veten
nga kjo aferë, madje ka mohuar
në mënyrë kategorike të gjitha
pretendimet e hetuesve. Por ka
pranuar zyrtarisht se ka vepruar
në emër të klientit të tij, Damir Fazliç.
"Kam qenë e autorizuar nga
klienti im për të përfaqësuar atë
ligjërisht në Shqipëri. Kam kryer të
gjitha procedurat në emrin e tij",
mësohet se ka deklaruar avokatja,
duke rrëfyer edhe transaksionin
bankar prej 1.7 milionë eurosh.
Prokuroria thotë se ka dyshime se
avokatja Flutura Kola ka tërhequr
të gjithë shumën e shitjes së kompanisë
së Damir Fazliç "Crown
Acquisitions". Shuma në euro dyshohet
se ka shkuar në "xhepat" e
Kolës, për të cilën nuk dihet ende
ku i ka "dorëzuar", megjithëse
dëshmoi dje në prokurori. Hetuesit
thanë se paratë janë tërhequr
për një muaj, me këste, duke
tërhequr dhe vëmendjen e zyrtarëve
të bankës. Por asnjë detaj
nuk është bërë publik. Avokatja,
sipas të dhënave në gjykatë, ka
qenë për disa muaj ortake me vajzën
e Kryeministrit, Argita
Malltezin. Ajo, pas tërheqjes së
shumës, të paktën në rrugë bankare,
nuk ka bërë asnjë transfertë
në drejtim të Damir Fazliç.
Hetimet
Akuzat e ngritura kundër
mikut, (tashmë i deklaruar publikisht)
të Kryeministrit, Damir Fazliç,
e kanë detyruar Prokurorinë
shqiptare që të verifikojë të gjitha
transaksionet e kryera në emrin e
tij, në bankat e nivelit të dytë në
vend. Sipas burimeve zyrtare
pranë Prokurorisë së Tiranës,
prokurorët e çështjes, Besnik
Cani dhe Dritan Rreshka, u kanë
kërkuar të gjitha filialeve të
bankave në Shqipëri të verifikojnë
në listën e klientëve të tyre
emrin e Damir Fazliç dhe punonjësve
të tij, që nga viti 2005 e në
vazhdim. "Me fillimin e hetimeve
kryesisht është kërkuar zyrtarisht
nga të gjitha filialet e bankave në
Shqipëri që të paraqesin pranë
organit të akuzës çdo të dhënë
apo veprim të kryer me emrin e
shtetasit anglez me kombësi serbo-
boshnjake, apo administratorit
të tij, Erion Isufi. Ky verifikim
kryhet pas dyshimeve se aktshitja
e përpiluar nga avokatja Flutura
Kola dhe vetë Fazliç për kalimin
e kompanisë ‘Crown Aquisitions‘
te kompania mëmë në Qipro, ka
mundësuar pastrimin e parave",
mësohet nga burimet e mësipërme.
Pas kërkesës kanë
mbërritur informacionet e para,
ku rezulton se shuma totale e
shitjes së kompanisë është
tërhequr kesh nga avokatja Flutura
Kola.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›