Londra: "Dosjet", të shtyhet miratimi
Ambasada e Britanisë së Madhe e cilëson ligjin e "Spiunëve me pasoja kushtetuese dhe kërkon shtyrjen e miratimit të tij. Dje në mbrëmje, me anë të një deklarate, ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë shprehu shqetësimin për ligjin e pastërtisë së figurave të zyrtarëve që është planifikuar të votohet ditën e hënë në Kuvend. Përfaqësia diplomatike e Mbretërisë së Bashkuar, në Shqipëri, kërkon që ligji të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare. Çështja e dosjeve ka mbledhur faktorët ndërkombëtarë, të cilët kërkuan shtyrjen e votimit. Zëri i Londrës zyrtare ka përforcuar ndjeshëm reagimin e ndërkombëtarëve pas Uashingtonit dhe OSBE-së, të cilët kundërshtuan draftin e mazhorancës. Ambasada amerikane, ambasada britanike dhe OSBE kanë shfaqur pa doreza shqetësimin e tyre për mënyrën sesi mazhoranca po tenton të kalojë projektligjin për pastërtinë e figurave pa marrë një konsensus të plotë nga të gjitha kampet politike. Faktori ndërkombëtar kërkon një debat gjithëpërfshirës në hartimin e projektligjit dhe më pas kalimin e tij për votim në Parlament. "Ligji është me pasoja kushtetuese", ka qenë konkluzioni i përbashkët i diplomatëve të huaj në Tiranë, të cilët kërkojnë frenimin e mazhorancës nga drafti për pastërtinë e figurave të zyrtarëve. Përfaqësitë diplomatike të huaja të akredituara në Tiranë kërkojnë hartimin e një drafti të ri që të ketë debat gjithëpërfshirës të politikës, por edhe ekspertizë ndërkombëtare. Sipas ndërkombëtarëve, ky draft shkel një sërë nenesh kushtetuese. Nga ana tjetër, kampin blu e përpin heshtja për miratimin e ligjit të "spiunëve". Demokratët kanë lënë mënjanë idenë për të kaluar projektligjin sërish në sallën e Kuvendit, duke e shtyrë atë për miratim në një prej seancave të muajit janar. Një grup i deputetëve demokratë kërkon që partia që ata përfaqësojnë të reflektojë mbi ligjin e dosjeve, ndërsa të tjerë pohojnë që PD-ja kësaj here duhet t‘i shkojë deri në vend. Deri në këto momente, zyrtarisht mungon një vendim politik përfundimtar mbi këtë projekt. Interferenca e faktorit ndërkombëtar do të shtyjë diskutimet e politikës shqiptare mbi draftin e dosjeve, deri në fundin e muajit janar, ndërkohë që zyrtarisht kampi blu nuk pranon se drafti për pastrimin e figurës së zyrtarëve nuk do të miratohet në seancën e ditës së hënë. Procesi i gjatë 18-vjeçar për hapjen e dosjeve mund të ndahet në tri periudha. Në vitet 1992-1996, vitet 1997-2001 dhe nga 2001 deri më sot është diskutuar vazhdimisht për pastrimin e institucioneve nga ish-zyrtarët komunistë, por asgjë deri më sot nuk është konkretizuar. Edhe në periudhën e parë ‘92-‘96 kur ky proces po shkonte në rrugën e duhur, asgjë nuk fshiu përfundimisht regjimin e persekutorëve gjatë periudhës së diktaturës.