E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish të përndjekurit, aplikimi për listat online në internet

 

Armand Bajrami

Ministria e Drejtësisë u “lehtëson” procedurat e përfitimit të dëmshpërblimeve ish të përndjekurve politikë. Në një kohë që ish të përndjekurit i përkasin moshës së dytë dhe kryesisht asaj të tretë, Ministria e Drejtësisë u ofron atyre një praktikë më të lehtë aplikimi për dëmshpërblimin e vuajtjeve të diktaturës duke përdorur internetin. Shërbimi i ri, mbase jo shumë i lehtë, duke pasur parasysh njohuritë kompjuterike të moshës së tretë në Shqipëri, u bë i ditur dje nga burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Duke iu referuar burimeve bëhet fjalë për pajisjen e plotë të kësaj shtrese me formularët e vetëdeklarimit të ish të përndjekurve. Sipas shërbimit të ofruar, formularët mund të shkarkohen nga Arkiva Elektronike e Çështjeve të Dëmshpërblimit të ish të dënuarve politikë dhe më pas të dërgohen të plotësuara nëpërmjet postës në Ministrinë e Drejtësisë. Shërbimi i ri është vënë në funksion për shkak të vështirësive të hasura nga Posta Shqiptare në gjetjen e adresave të disa prej ish-të përndjekurve që duhet të njoftohen nga ministria. Një pjesë e njoftimeve për plotësim dokumentesh, të dërguara nga ministria nëpërmjet postës për aplikuesit, janë kthyer sërish në ministri për shkak të mos gjetjes së personave. Burimet pohuan se shumë shpejt pritet miratimi i një liste të dytë nga Këshilli i Ministrave, pas asaj të parës në 2008, prej së cilave do të përfitojnë rreth 3-4 mijë ish të përndjekur.
FORMULARI
Për të pasur formularin e vetëdeklarimit duhet të “vizitohet” faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë në internet në adresën www. justice. gov. al. Në vijim duhet të klikohet në rubrikën “Arkiva e Çështjeve të Dëmshpërblimit të ish të dënuarve politikë”. Më pas duhet të futesh te rubrika “Formulari”. Në krye të kësaj rubrike gjendet “Formulari i vetëdeklarimit”. Formulari duhet të printohet në letër, ashtu siç shfaqet në dy pjesë. Formulari duhet të plotësohet në të dyja pjesët sipas rubrikave. Burimet zyrtare të ministrisë theksuan se duhet treguar kujdes që mbi formulat të shënohet numri i aplikimit (numri korrenspondues në dosje). Pasi është përfunduar me plotësimin dhe nënshkrimin nga aplikanti, formulari dërgohet me postë në ministri, ashtu si është vepruar edhe më parë për dërgimin e aplikimit.

Shtyrja e afatit për formularët

TIRANE – Aplikimet për të cilat Ministria e Drejtësisë mundësoi dje një mënyrë elektronike vijnë pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Ndryshimet e bëra më 2 prill të këtij viti shtuan numrin e kërkesave për dëmshpërblime. I miratuar fillimisht në nëntor të vitit 2007, ligji përcaktonte një afat 1 vjeçar të paraqitjes së kërkesave. “Deri në përfundim të kësaj date, pranë Ministrisë së Drejtësisë u paraqitën 16579 kërkesa, të cilat u regjistruar në librat e hyrjes dhe po shqyrtohen” pohuan dje burime zyrtare. Bëhet e ditur se nga lista e parë e përfituesve, e miratuar më 30 dhjetor të vitit 2008, përfituan financiarisht rreth 1400 persona.        ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›