Qafë-Gjashta, vëllai i oficerit që u mbajt peng: E liroi Zani Çaushi
TIRANE – Jaho Aliaj, vëllai i policit të marrë peng dhe të torturuar në ngjarjet e Qafë Gjashtës në vitin 1997 në Sarandë, dëshmoi dje te Krimet e Rënda. Vëllai i Eduart Aliajt ishte një nga gjashtë dëshmitë e paraqitura dje në seancën në ngarkim të 10 personave të akuzuar për ngjarjen e 3 mars 1997, ku një polic u vra dhe u dogj, ndërsa një tjetër u mbajt peng dhe u torturua. Sipas Jaho Aliajt, kishte qenë Zani Çaushi ai që kishte mundësuar lirimin e vëllait të tij, pas mbajtjes për disa ditë në Sarandë. Gjithashtu ai tha se në trupin e policit Aliaj dukeshin qartë shenja të keqtrajtimeve fizike. “Nuk di shumë. Vetëm aq sa më ka treguar vëllai”, e nisi dëshminë e tij Aliaj, duke shtuar se vëllait të tij nuk i pëlqente të fliste në lidhje me ngjarjen e Qafë Gjashtës. “Vëllai im është nisur me Sokol Bizhgën për të parë komisariatin e policisë së Sarandës. Bashkë me ta ka qenë edhe Myzafer Blushi, ndërsa rrugës u ka dalë edhe Gjergji Mehmeti”, tha Aliaj. Ai tregoi në vija të përgjithshme më pas “udhëtimin” e vëllai të tij në Sarandë deri në përplasjen me personat e armatosur në Qafën e Gjashtës. Sipas dëshmitarit, ngjarjen në fjalë e kishin mësuar nga një i afërm i tyre. Djali i hallës kishte parë pamje filmime të Eduardit në edicionet informative të televizioneve greke, teksa ai ishte i lidhur dhe i keqtrajtuar. “Ai kishte parë pamjet në televizionet greke në satelit”, tha dëshmitari. “Pas disa ditësh ka shkuar Zani Çaushi dhe e ka marrë në Sarandë. Nuk e di se me kë negocioi. Vëllai ishte i keqtrajtuar. Kishte plagë në kokë dhe në shpinë”, tha Aliaj. Dëshmitari tjetër Pëllumb Kolonja, ish polic në vitin 1997, tha se kishte parë Eduart Aliajn të prangosur në spitalin e Sarandës. “Eduart Aliaj e pashë në një nga dhomat e spitalit të Sarandës. Në njërën dorë ishte i lidhur me pranga te krevati. Tek dera e dhomës bënte roje Vladimir Sinani”, tha para gjykatës dëshmitari Kolonja. Ndërsa Mustafa Golemi, ish shef i Komisariatit të Sarandës në vitin 1997, i emëruar nga Qeveria e Pajtimit Kombëtar tha se kishte parë Eduart Aliajn në Qafën e Gjashtës në mes të grumbullit të njerëzve. “U ngjita në Qafën e Gjashtës pa ndonjë arsye, por vetëm se pashë fëmijë dhe adoleshentë të armatosur. Atje pashë një makinë të djegur, ndërsa më larg një person të cilit po i bërtisnin dhe e regjistronin në video”, tha dëshmitari. ar.ba