E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta në Konventën e LSI:Jo në zgjedhje për numra deputetësh, por për të nxjerrë vendin nga kriza

 

Aristir Lumezi

Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi dje në Konventën Kombëtare të saj programin qeverisës “Koha për Veprim”. Me mijëra të rinj, anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së kishin mbushur dje pasdite Pallatin e Kongreseve, ndërsa ekspertë të LSI-së kanë prezantuar pikat e këtij programi. Petrit Vasili, Pëllumb Xhufi, Nora Malaj, Erisa Xhixho, Shezai Rrokaj, Tokli Thomai, Filloreta Kodra, Edmond Haxhinasto, Dritan Prifti paraqitën epërsinë e programit qeverisës të LSI-së. Kreu i kësaj partie, Ilir Meta gjatë fjalës së tij, u shpreh se LSI nuk hyn në këto zgjedhje për të siguruar numra deputetësh, por për të qeverisur. “Dua të falënderoj për 140 kandidatët e LSI, një pjesë e mirë e të cilëve  janë duke punuar në terren sepse ne nuk luftojmë në këto zgjedhje as për të marrë 71 deputetë, as për të marrë 35 deputetë, ne luftojmë në këto zgjedhje për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza, duke nisur nga agimi i 29 qershorit”, tha Meta. Për programin e LSI-së tre janë prioritete, sipas Metës, “Punësimi, punësimi, punësimi”. “Ne vijmë në këto zgjedhje si garancia e vetme për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike, ne vijmë këtu përpara jush dhe gjithë shqiptarëve me një program të qartë për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për ta futur në rrugën e zhvillimit. Ne vijmë me një plan veprimi konkret, realist, tokësor dhe ambicioz për 4 vitet e ardhshme”, u shpreh Meta. Duke folur për rininë, Ilir Meta premtoi se do t’i rikthehet aksionit të shndërrimeve të mëdha kur ai ishte kryeministër i vendit. “Unë dua t’u siguroj të gjithëve dhe në veçanti rinisë së kryeqytetit se për 40 ditë Parkun Rinia nga simboli i kioskave dhe i degradimit në një park ku rrinë plot të rinj ku rrinë së bashku me gjyshërit e tyre. Dua t’i garantoj të gjithë rininë e Shqipërisë dhe të gjithë prindërit e Shqipërisë se të gjithë të bijtë e Shqipërisë do të kenë hapësira pafund, çlodhëse dhe argëtuese”, tha Meta. Kreu i LSI-së prezantoi ambiciet e programit ‘Koha për Veprim’ në fushën e punësimit, tatimeve, ekonomisë, shëndetësisë etj. Duke shprehur filozofinë e këtij programi Meta tha se: “Ne luftojmë në këto zgjedhje për të garantuar 100 mijë vende të reja të qëndrueshme pune në 4 vitet e ardhshme të qeverisjes tonë”. “Ne luftojmë në këto zgjedhje për të mbrojtur dinjitetin e të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve nga ata që në kundërshtim me vullnetin dhe referendumin e shqiptarëve ia ndryshuan natën Kushtetutën në 21 Prill, vetëm për interesa personale dhe korruptive”, tha Meta. Sipas tij, përpjekja e LSI-së është mbrojtja e shqiptarëve dhe Shqipërisë nga ata të cilët nuk patën vullnetin për të bërë një kod të standardeve evropiane; nga ata që u ulën dhe u morrin vesh për afera korruptive, por që nuk takohen dot dhe nuk zgjidhin dot problemin e disa kartave të Identitetit”. Meta premtoi se programi i LSI brenda një viti do të liberalizojë vizat me Bashkimin Evropian.

Pronat
“Ne do të garantojmë certifikatën e pronësisë për të gjithë fermerët shqiptarë me tokë dhe do të lehtësojmë tarifat për këtë qëllim. Ne do të krijojmë grante dhe do të regjistrojmë kampe shqiptarëve të produkteve, që të mbizotërojë jo vetëm në tregun tonë, por duhet të konkurrojë dhe të hyjë dhe në tregjet rajonale dhe evropiane. Ne do të nxisim dhe do të realizojmë ndërtimin e një portit të ri të peshkimit në Durrës dhe do të mbështesim krijimin e një flote moderne peshkimi, duke subvencionuar edhe naftën dhe duke garantuar edhe shumë mbështetje të tjera, pasi peshkimi duhet të jetë dhe do të jetë një sektor shumë i rëndësishëm dhe prioritar për të”, tha Meta.

amerikanet
Gjatë fjalës së tij, Ilir Meta falënderoi dhe kontributin e profesorit italian ekspert për çështjet e punësimit, Francesco Daveri si dhe kompaninë amerikane për fushatën. “Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë kompaninë e njohur amerikane që bashkëpunon me ne në këtë fushatë, e cila ka dalë fituese, në Amerikë me Klintonin, në Angli me Blerin, në Gjermani me Shrëderin, në Serbi me Tadiçin dhe do dalë fituese në Shqipëri me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Greenberg Quinlan Rosner”, tha Meta.

incidenti me ikjen e dritave
Në kohën që pritej të niste kreu i LSI-së fjalën e tij për të prezantuar filozofinë e programit qeverisës të kësaj partie, një defekt me energjinë elektrike bëri ndërprerjen e pjesshme të energjisë në sallë, në foninë dhe në ndriçim. Gjatë këtyre minutave, salla ka shpërthyer në entuziazëm dhe në thirrje për fitoren e sigurt të LSI-së në këto zgjedhje. “Nuk ndalet fitorja jonë as nga këto marifete të Saliut me dritat dhe as nga marifetet të tjera”, tha Meta pas rregullimit të defektit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›