E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe në luftë edhe me statistikat

Asnjë nga katër trajnerët paraardhës të tij nuk ka debutuar me humbje. Dosena, Brigel, Bariç e Hani kanë dalë kryelartë nga sfidat e para të tyre

Dash Frashëri

Trajneri kroat Josip Kuzhe do ta fillojë “aventurën e tij shqiptare” me një ndeshje ekstremisht të vështirë, duke parë jo vetëm emrin e frikshëm të kundërshtarit, Portugalisë së udhëhequr nga ylli i Mançesterit, Kristiano Ronaldo, nevojës së saj urgjente për maksimumin, por dhe rrethanat tërësisht të veçanta të përgatitjes së ndeshjes së parë të pasuesit të Ari Hanit, ku bashkëkombasi i Oto Bariçit pati vetëm 16 ditë kohë (nga këto vetëm 6 ditë me lojtarët e plotë) deri në ditën e ndeshjes, më 6 qershor 2009.
Me 26 lojtarë në dispozicion (pas largimit të Migen Memellit) dhe një test “anormal” si ai me Kombëtaren U-17 (të fituar lehtësisht 13-0, 6 gola Kapllani), 56-vjeçari Kuzhe duhet të dëshmojë përballë publikut shqiptar në “Qemal Stafa”, se ai personalisht ka injektuar një filozofi ofensive, krejt të ndryshme nga pasiviteti i frikshëm i Ari Hanit.
Duke parë statistikat e debutimeve të katër parardhësve të Josip Kuzhes, si italiani Dosena (në eliminatoret e Euro 2004), gjermani Brigel (po për eliminatoret e Euro 2004), kroati Bariç (eliminatoret e Euro 2008) ashtu dhe holandezi Han (eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010) e kanë nisur pozitivisht fushatën personale. Asnjëri prej tyre nuk e ka humbur ndeshjen e parë: 1 fitore e 3 barazime në 3 takime të luajtura në Shqipëri e një në transfertë.
Gjithsesi, Kuzhe para sfidës së tij të madhe ndihet i lehtësuar nga një fakt kokëfortë. Do të përballet me Portugalinë pa pasur në dispozicion një ndeshje miqësore, madje pa lexuar në detaj as karakteristikat e aftësitë e lojtarëve që ka prej disa ditësh në dispozicion.
Ne të gjithë kemi dyshimet dhe pakënaqësitë tona në lidhje me performancën e varfër të treguar nga holandezi Ari Han, por si për fat apo dhe për rastësi, holandezi arriti të ndalë në “Qemal Stafa” Suedinë e madhe me lojtarin më të paguar në botë, sulmuesin e Interit, Zlatan Ibrahimoviç, njëherësh edhe “këpucën e artë” të Serisë A.
Por, le t’u kthehemi statistikave.
Trajneri italian Xhuzepe Dosena e nisi me një barazim 1-1 me Zvicrën në Tiranë. Pas golit të formacionit helvetik, ishte Edvin Murati ai që barazoi me anë të një goditje të lirë. Takimi ishte i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 2004. Pas humbjes 4-1 me Rusinë në Volgograd, Dosena u vetëzhduk pa lënë gjurmë, duke i lënë të lirë vendin gjermanit Hans-Peter Brigel.
Modesti Brigel pati fatin e një grumbullimi në Norçia të Italisë, ku në një ndeshje miqësore kundër Vietnamit arriti edhe fitoren më të thëllë në historinë e Shqipërisë: 5-0. Fitore që parapriut një rezultati gati aventuresk kundër Rusisë (3-1), të zhvilluar në “Loro Boriçi”. Golat mbajnë firmat e Altin Rrakllit, Altin Lalës dhe Igli Tares. Takimi ishte vlefshëm për Euro 2004.
Trajneri kroat Oto Bariç është i vetmi që takimin e parë zyrtar e ka luajtur jashtë Shqipërisë. Kuqezinjtë barazuan 2-2 me Bjellorusinë në Minsk. Ervin Skela me penallti në pjesën e parë dhe Besnik Hasi me gjuajtje të lirë në të dytën, kur rezultati ishte 2-1, janë dhe autorët e golave. Takimi ishte i vlefshëm për eliminatoret Euro 2008, duke sjellë të parën pikë nga jashtë. Gjithsesi, Bjellorusia u hakmor në Tiranë, duke na mundur në ndeshjen e kthimit 4-2.
Shenja pozitive e fatit në ndeshjen debutuese e ndoqi dhe Ari Hanin. Holandezi ia doli të frenojë në kryeqytetin shqiptar një Suedi prepotente dhe favorite absolute në letra: 0-0 përballë suedezëve të udhëhequr nga sulmuesi më i mirë i Interit, Zlatan Ibrahimoviçi. Takimi ishte për eliminatoret e Botërorit 2010.
Pas shtatë takimeve të Shqipërisë me Ari Hanin në krye (1 fitore, 3 barazime, 3 humbje), radha është e kroatit Josip Kuzhe, në tri ndeshje radhazi të shkallës së lartë të vështirësisë: Portugali, Danimarkë, Suedi.

REZULTATET E DEBUTIMEVE TË TRAJNERËVE

Dosena
SHQIPËRI-ZVICËR 1-1
Trajneri italian Xhuzepe Dosena e nisi me një barazim 1-1 me Zvicrën në Tiranë. Pas golit të formacionit helvetik, ishte Edvin Murati ai që barazoi me anë të një goditje të lirë. Takimi ishte i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 2004.

Brigel
SHQIPËRI-RUSI 3-1
Trajneri gjerman Hans-Peter Brigel e nisi aventurën e tij në krye të Shqipërisë me një fitore të bujshme kundër Rusisë (3-1), të zhvilluar në “Loro Boriçi”. Golat mbajnë firmat e Altin Rrakllit, Altin Lalës dhe Igli Tares. Takimi ishte për Euro 2004.

Bariç
BJELLORUSI-SHQIPËRI 2-2
Trajneri kroat Oto Bariç është i vetmi që takimin e parë zyrtar e ka luajtur jashtë Shqipërisë. Kuqezinjtë barazuan 2-2 me Bjellorusinë në Minsk. Ervin Skela me penallti dhe Besnik Hasi me gjuajtje të lirë janë dhe autorët e golave. Takimi për Euro 2008.

Han
SHQIPËRI-SUEDI 0-0
Trajneri holandez Ari Han e nisi me një test të madh drejtimin e Shqipërisë. Përfaqësuesja jonë barazoi 0-0 në “Qemal Stafa” përballë Suedisë së udhëhequr nga sulmuesi më i mirë i Interit, Zlatan Ibrahimoviçi. Takimi ishte për Botërorin 2010.

Kuzhe
SHQIPËRI-PORTUGALI, 06.06.09
Trajneri kroat Josip Kuzhe do ta fillojë “jetën e tij shqiptare” me një ndeshje shumë të vështirë. Përballë kuqezinjve tanë është Portugalia e kapitenit Kristiano Ronaldo, që nga ana e saj ka nevojë urgjente për tri pikë. Takimi është për Botërorin 2010.

Portugalia, 6 herë me e shtrenjtë

Portugalia e “parave” është gjashtë herë më e shtrenjtë se Shqipëria. Vlera e të gjithë futbollistëve të Kombëtares sonë të thirrur nga Josip Kuzhe është 43.650.000 euro, kundrejt 286.600.000 euro të luzitanëve. Kapiteni Lorik Cana ka vlerën më të lartë në treg: 14 milionë euro, ndërkohë që ai i Portugalisë, Kristiano Ronaldo vlen sipas transfertmarkt.de, 60 milionë euro. Ronaldo vlen 16 milionë euro më shumë se e gjithë Kombëtarja jonë.

Qershori, jo favorit për Shqipërinë

Kombëtarja shqiptare nuk ka një bilanc aspak të kënaqshëm, duke iu referuar të gjitha ndeshjeve historike të luajtura në muajin qershor. Në 21 ndeshje të zhvilluara nga viti 1947 (Bullgari-Shqipëri 2-0) e deri të ajo e vitit 2007 (Luksemburg-Shqipëria 0-3), Shqipëria ka arritur të fitojë 6 ndeshje, barazojë 1 e të pësojë 14 humbje. Gjithsesi, kujtimet e fundit na çojnë te dy fitoret e fundit me Luksemburgut (2-0, 0-3) të arritura në epokën e Oto Bariçit.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›