Ja projektet për Vlorën qendër të madhe policentrike

FLET EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “55”, KANDIDATI I PARTISË DEMOKRATIKE DHE “ALEANCËS PËR QYTETARIN”, NË BASHKINË E VLORËS, ARDI KOLLOZI
Kollozi: Fitorja ime në 8 maj do jetë plebishitare
“E ardhmja e qytetit të Vlorës është kompromentuar nga një keqqeverisje 8 vjeçare”. Kështu e cilëson gjendjen aktuale të qytetit bregdetar të Vlorës, kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Ardi Kollozi. Në një intervistë për “55”-ën, vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011-të, z.Kollozi bën një analizë të gjatë, duke specifikuar problematikën e rëndë të qytetit të Vlorës, që, siç thotë ish deputeti i këtij qarku, duhet të ishte “mbretëreshë e turizmit shqiptar” dhe jo strehë e betonit, rrugëve të shkatërruara e ndotjes mjedisore. Vlora sot nuk ofron atë që duan qytetarët, nuk ofron atë që duan turistët, por në vend të pamjes turistike të ofron imazhin e një qyteti jo turistik që detin ia ka zënë betoni i ndërtimeve abuzive dhe plazhin ja kanë zaptuar ujërat e zeza. Të gjitha këto, thotë z.Kollozi janë në përgjegjësi të kryetarit të bashkisë. Ai akuzon Shpëtim Gjikën se ka abuzuar me detyrën, teksa duke mos i shpëtuar tundimit të pushtetit, e konsideroi Vlorën si domenin e tij, taksat e vlonjatëve si para në xhepin e tij. Për këtë, z.Kollozi bën me dije se menjëherë pas ardhjes në krye të bashkisë do t’i bëjë skaner të gjithë veprimtarisë së kryetarit në largim të bashkisë, z.Shpëtim Gjika. Z.Kollozi kërkon mbështetjen e qytetarëve vlonjatë për të realizuar së bashku me ta objektivin e përbashkët, të Vlorës së Pavarësisë, të Vlorës së 30 viteve të ardhshme, projektin ambicioz për ndryshimin rrënjësor të saj. Ardi Kollozi shprehet i sigurt për një fitore plebishitare në 8 maj, sepse siç thotë ai, alternativa e “Aleancës për Qytetarin” nuk është rruga e vetmisë, por rruga e alternativave dhe projekteve që përmirësojnë jetesën e qytetarit dhe zhvillojnë qytetin.
Z. Kollozi, jemi vetëm dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve vendore, si do ta përshkruanit situatën aktuale në qytetin e Vlorës, pas 4 javësh fushate intensive në qytetin bregdetar?
Kemi punuar intesivisht këto ditë fushate, duke kontaktuar me të gjithë qytetarët e Vlorës, për tu kërkuar atyre mbështetje që së bashku të realizojmë objektivin e përbashkët, të Vlorës së Pavarësisë, të Vlorës së 30 viteve. E sinqerisht, në çdo moment e çdo rast, duke parë dhe entuziazmin, optimizmin e madh dhe klimën më shumë se pozitive, jam i bindur që pas 8 majit, unë do ti respektoj dhe do ti dua më shumë bashkëqytetarët e mi. Së bashku me mua, inxhinierin Ardi Kollozi, janë të gjithë vlonjatët, të cilët janë ekipi im gjigand që unë do të kem nderin të drejtoj në 8 maj. Ne jemi bërë të gjithë bashkë për të ndryshuar Vlorën, e kjo do të fillojë të ndodh në 8 maj. Më emocionon e më jep siguri mbështetja që më kanë dhënë qytetarët e Vlorës, më kanë qenë pranë çdo ditë përgjatë rrugëtimit tonë elektoral. Jemi shtuar e shumuar, i kemi thyer koracat dhe barrierat, ndasitë politike, e mua më vjen mirë që bashkë me entuziazmin konstatoj se tashmë ja kemi arritur atij që është qëllimi jonë i përbashkët, asaj që ka qenë dhe thirrja ime e parë, qysh në fillimet e kësaj fushate jemi bashkë të gjithë, më të bashkuar e më të vendosur se kurrë, për të ndryshuar Vlorën tonë. Një fitore e kemi marrë, betejën e parë të ringjalljes së shpresës e besimit te vlonjatët e kemi fituar këto ditë fushate, e cila në 8 maj do të kurorëzohet me fitoren e alternatives e projektit tone për t’i rikthyer dinjitetin Vlorës sonë.
Ju vini në këto zgjedhje pas mandatimit dy herë si deputet i qarkut të Vlorës, a mendoni se edhe në 8 maj, alternativa Kollozi do votohet nga qytetarët ashtu si në 2005-ën dhe 2009-ën?
Absolutisht që po. Unë kandidoj për bashkinë e Vlorës, ky është një vendim i marrë prej shumë kohësh. I ardhur nga ndjeshmëria e shqetësimet që ka qyteti im i lindjes. Nga dashuria për ta parë të zhvilluar këtë qytet, të dashur për gjithë vlonjatët e gjithë shqiptarët. Të denjë, ashtu si i takon të jetë. Besoj e kam bindjen se qytetarët e Vlorës pas 20 vitesh demokraci, kanë fituar pjekurinë e domosdoshmërinë për të gjykuar ftohtë e me qartësi për alternativën, për projektin, për ofertën, që zgjidh problematikat, krijon hapësirat, e hap hapësirën për një Vlorë shtëpi të përbashkët, të denjë për të krijuar për qytetarinë e vet. Besoj se ky nuk është vetëm impresion i imi, se qytetarët e Vlorës disaprovojnë, e kanë vendosur që me shumicë të refuzojnë modelin e papërgjegjshëm të Z. Gjika, në këto 8 vjet. Model, i cili, i ka dëmtuar propocionalisht të gjithë qytetarët e Vlorës, e në disa raste ka kompromentuar të ardhmen zhvillimit të këtij qyteti. Jo vetëm që Alternativa Kollozi do të votohet e do të fitojë në 8 maj, por e përsëris që fitorja jonë në Vlorë do të jetë plebishitare.
Qyteti i Vlorës, ndonëse nga bukuritë që i ka dhuruar natyra, mbetet një perlë turistike, përsëri ajo që krijon imazhin e keq, janë problemet si infrastruktura, ndotja, papastërtia e plazhit si dhe ndërtimet e shumta, pa një plan të mirë-studiuar. Cila është rrugëzgjidhja e këtij ngërçi urban, i cili siç thamë, ka pasoja të rënda për qytetin?
Vizioni ynë për qytetin e sheh Vlorën të projektuar në vitin 2030. Pikërisht kohëzgjatja e politikave të zhvillimit është tipari që na diferencon nga mënyra e deritanishme e qeverisjes, kur gjithçka është bërë nga motivi i përfitimit të shpejtë: Vlora e vitit 2030, qytet policentrik, qendër e madhe rajonale e zhvillimit ekonomik, me zhvillim turistik të qëndrueshëm, me transport detar, hekurudhor dhe rrugor, qendër e fuqishme shërbimesh bankare, agjencish turistike, qytet me zhvillim shkencor dhe akademik, qytet me ofertë kulturore të pasur, qyteti i ëndërruar nga banorët e saj dhe i vizitueshëm gjatë gjithë vitit. Prioritetet strategjike për 4 vjetët e ardhshëm do të jenë: Zhvillimi i qëndrueshëm urban; Infrastruktura urbane; Zhvillimi i qëndrueshëm turistik. Zhvillimi i qëndrueshëm urban nënkupton: një zhvillim që kënaq kërkesat e brezit të sotëm, pa kompromentuar kapacitetin e brezave të ardhshëm për të përmbushur nevojat e veta. Një zhvillim i tille arrihet duke pasur parasysh tre parime: Cilësinë Mjedisore, Zgjatjen e horizontit kohor të politikave të zhvillimit, Pjesëmarrje publike në vendimmarrje. Infrastruktura urbane përfshin ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve, përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujit të pijshëm, kanalet e ujërave të bardha e të zeza, rrjetet elektrike, telefonike dhe internet. Zhvillimi i qëndrueshëm turistik nënkupton përveç rritjes së cilësisë së shërbimit turistik, një qasje ndaj strategjisë kombëtare të turizmit kulturor, rivlerësim i burimeve autentike lokale dhe më gjerë, si dhe marketing të territorit.
E kemi dëgjuar shpesh z.Gjika që premton ‘togfjalësha’ si p.sh më pak betonizimin dhe më shumë gjelbërim, si dhe punësim e ulje taksash. A mendoni se është koha që z.Gjika të ri-përsërisë premtimet e tij?
Në këto javë fushate ne kemi ecur krah për krah me qytetarët në çdo rrugë e lagje të qytetit të Vlorës, e kemi konstatuar me dhimbje se ky nuk është qyteti që ne të gjithë meritojmë. Kemi parë një qytet pa rrugë, të papastër, me mbeturina urbane e inerte gjithandej, një qytet familjet e të cilit s’kanë ujë, me ujëra të zeza që derdhen në det, me zhvillim urban kaotik, jo transparent. Kemi parë një qytet pa shërbime sociale, pa çerdhe, me kopshte e shkolla në gjendje të keqe, një qytet pa hapësira të gjelbra, një qytet pa jetë kulturore e artistike, një qytet pa diversitete sportive, ku veç futbollit të kryetarit në ikje, asnjë sport tjetër s’ka vëmendje. Kemi parë një qytet pa kinema. Një qytet që s’ka pamjen e një qyteti turistik, që detin ja ka zënë betoni i ndërtimeve abuzive dhe plazhin ja kanë zaptuar ujërat e zeza. Në këto javë fushate, s’pamë asnjë rresht të programit të z. Gjika, ndërsa një ditë u shfaq me plane e projekte të premtuara edhe në 2003, edhe në 2007, e sërish tani në 2011. Unë nuk arrij të kuptoj gjithë këtë cinizëm e tallje me vlonjatët. Ka pasur plot 8 vjet kohë për t’i bërë këto punë z. Gjika, s’ka më vlerë.
Ju keni akuzuar drejtpërdrejt kryebashkiakun Gjika se ka lënë në mëshirë të fatit qytetin dhe qytetarët dhe po ashtu keni deklaruar se, menjëherë pas ardhjes tuaj në krye të bashkisë do t’i bëni skaner të gjithë veprimtarisë së z.Gjika. Mendoni se ai ka abuzuar me detyrën?
Për fat të keq, z. Gjika nuk i shpëtoi dot tundimit të pushtetit, bëri ç’mundi për ta absolutizuar atë, e konsideroi Vlorën si domenin e tij, taksat e vlonjatëve si para në xhepin e tij. Produkti është ky. Si kryetar bashkie për 8 vite, ka dëmtuar rëndë shtëpinë tonë të përbashkët, Vlorën, dhe kompromentuar të ardhmen e saj. Ne do të bëjnë një analizë e një supervizim të të gjitha punëve, e sikundër kam theksuar e ju kam premtuar qytetarëve të mi, do të grisim çdo kontratë të paligjshme, që kam bindjen e provat se s’janë pak. Në fakt në këtë 8 vjeçar të administrimit të qytetit të Vlorës nga Z. Gjika, ka shumë mëkate që i janë bërë prej tij këtij qyteti. Personalizimi dhe abuzimi me pushtetin, buxhet i ç’bilancuar, futbolli merr me shume nga investimet në infrastrukturë, priten pemët e pyllit të Sodës për të bërë fushë për stërvitjen e ekipit. Vlora është shpërfytyruar, me mjedisin e gjendje të rrezikshme, asgjë e shkruar plan apo strategji në Bashki. Mungon thuajse fare jetë kulturore ne qytet, Vlora është qytet pa një kinema. Por pa dashur të përsëriten, janë plot 100 mëkate të tjera të Z. Gjika, dëme të bëra qytetit të Vlorës, të cilat me patjetër do ti rikuperojmë deri në 100 vjetorin e Pavarësisë. Ç’mund të thuash më tepër për një njeri që në 8 vjet i ka konsideruar paratë e vlonjatëve, si pasra të xhepit të tij. Në gjithë buxhetin që bëhet nga taksat e vlonjatëve vetëm 25% ju kthehet atyre, ndërsa 75% shkojnë për paga, sigurime e salltanete të atij dhe administratës që e shoqëron. Padyshim që ka abuzuar e për këtë si fillim do ta ndëshkojnë të gjithë vlonjatët në 8 maj, duke e larguar me votën e tyre.
Çfarë premtoni për Vlorën turistike?
Turizmi tashmë është shndërruar në një degë shumë të rëndësishme të zhvillimit të ekonomisë, e për më tepër në Vlorë ai është prioritet i prioriteteve. Në gjithë këto vite, iniciativa private dhe trendi në rritje për të investuar në këtë sektor të rëndësishëm, nuk është shoqëruar me politika të qëndrueshme për t’i krijuar hapësirën e duhur atij. Betonizimi i Vlorës, zvogëlimi i sipërfaqeve të gjelbra dhe publike, reduktimi i aksesit të detit për shkak të betonizimit në rërë dhe në sipërfaqet e gjelbra, kanë dëmtuar potencialin real të zhvillimit të këtij sektori. Prandaj është e domosdoshme t’i themi stop këtyre praktikave e të ri-konceptojmë Vlorën e së ardhmes. Do të ndjekim politika fiskale, taksa e tarifa vendore të lehtësuara deri në 50% për bizneset që operojnë në këtë fushë. Në partneritet me shkollat profesionale të Vlorës, por dhe me të dy universitet do të kërkojmë që nëpërmjet degëve që kanë lidhje me këtë sektor, të përgatisim të rinj e të reja që do të punësohen në këtë sektor. Do të kërkojmë që Turizmi të jetë gjithëvjetor, që sezoni turistik intensiv të zgjerohet në minimumin 5 muaj. Ne duam të promovojmë një program dy-vjeçar të veprimit për të krijuar një sistem në të cilin aktorët e ndryshëm ndajnë objektivat dhe mjetet për të rigjallëruar turizmit në qytet, duke krijuar një “markë Vlora” dhe promovuar e zhvilluar turizmin në Vlorë. Do të jetë një mundësi reflektimi midis pikave të forta të traditës tonë me risi kulturore dhe gjetje inovative mbi të cilat të përcaktojmë promovimin e imazhit te qytetit tonë dhe planifikimin e marketingut të territorit në nivel kombëtar e ndërkombëtar, komunikimit urban, tërheqjen e investimeve dhe pozicionimin e qytetit në treg për forma të ndryshme të turizmit. Në këtë kontekst do të synohet zgjatja e periudhës turistike të qytetit, duke organizuar ngjarje kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare, konferenca dhe festivale, gjatë pranverës dhe vjeshtës, jashtë sezonit të plazhit. Dhe përgjigjja mund të jetë: Projekti: “Vlora juaj për t’u zbuluar”.
Si do ndryshojë Vlora në skajet e saj nga qendra e deri në periferi? Ku do ndërhyni për sistemimin urbanistik të qytetit?
Me përfundimin e procesit të legalizimit, e cila është një reformë që po ecën e sigurt dhe shpejt përpara, zgjidhet përfundimisht problemi i pronësisë mbi tokën në këto zona. I paraprirë me studim urbanistik të detajuar, që do të përfundojë brenda 6 muajve të mandatit tim të parë, ku përcaktohet në mënyrë definitive shndërrimi i këtyre zonave në lagje elitare banimi, e në shumë zona turizmi po të tillë. Urbanizimi, plotësimi me infrastrukturë, rrugë, kanalizime, ujësjellësa, çerdhe, kopshte, shkolla etj, do t’u kthejmë dinjitetin këtyre banorëve të nëpërkëmbur e të harruar deri më sot. Do të ketë një infrastrukturë urbane absolutisht të përmirësuar, ku përfshihen ndërtimi dhe rehabilitimi i të gjitha rrugëve kryesore e dytësore, ndërtimi i Unazës së Madhe e të Vogël, hapja e gjurmëve të reja të rrugëve të gjitha këto do të shërbejnë përpos lirshmërisë së qarkullimit të automjeteve edhe në çlirimin e trafikut. Do të ndërtojmë ‘lungomare’, shëtitore që do të përshkojë gjithë vijën bregdetare të qytetit, nga zona në afërsi të Zvërnecit deri në Radhimë. Përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujit të pijshëm, kanalet e ujërave të bardha e të zeza, rrjetet elektrike, telefonike dhe internet, e dimë mirë në kulm të sezonit turistik Vlora jonë në zona të rëndësishme të saj ka vuajtur mungesën e ujit, tanimë do të jetë e plotësuar me të gjitha nevojat bazë, sikundër kam theksuar, brenda 4 muajve. Na duket cinike që në 2011 t’i premtojmë qytetarëve tanë rrugë e ujë, këto janë normale që do të jenë e do të shkojnë në çdo cep të qytetit, aty ku ka banorë e jetohet, ne do të zhvillojmë këtë qytet konceptualisht duke e bërë në çdo zonë të tij një qendër të mirëfilltë me zona argëtimi, pushimi, lulishte e parqe.
Keni një plan konkret për punësimin, uljen e taksave, strehimin si dhe mbështetjen sociale?
Është fakt që Vlora nga një qytet me mundësi e potenciale të jashtëzakonshme të zhvillimit ekonomik, një qytet që duhej të shndërrohej shpejt në një metropol që do të krijonte mirëqenie dhe standarde të larta jetese jo vetëm për vetë, por edhe për gjithë rajonin, për shkak të mungesës së vizionit, papërgjegjshmërisë e shpesh cinizmit të treguar nga kryetari i bashkisë në ikje, ka bërë që shume familje të jenë në vështirësi ekonomike e disa prej tyre në mjerim të plotë. Kemi shpalosur në programin tonë së punësimi është një prioritet absolut, i cili do të vijë kryesisht nëpërmjet investimeve dhe zgjerimit të sektorit privat, që në një Vlorë të projektuar drejt me infrastrukturë, të plotësuar e moderne, me taksa e tarifa të përgjysmuara deri në 50%, me politika të qëndrueshme, jemi të sigurt se brenda 2 viteve të para të mandatit ne do të krijojmë hapësirë për më shumë se 8000 vende të reja pune. Në nivel lokal ka taksa e tarifa të larta e të pamotivuara, e kjo ndihet në rreth 1800 bizneset që operojnë në qytetin e Vlorës, e kryesisht në biznesin e vogël. Në këshillin bashkiak të 8 majit, referuar të gjitha mundësive që jep ligji ne kemi një plan të qartë të uljes së taksave vendore. Konkretisht janë një sërë taksash e tarifash të përkohshme të cilat e kalojnë 10% e vlerës, sikundër parashikon ligjin. Filozofia jonë synon një ndryshim rrënjësor të politikave të sigurimit dhe menaxhimit të këtyre fondeve duke nënkuptuar: Hartimin e një pakete fiskale që tenton të eliminojë disa tarifa të panevojshme si dhe të ulë deri në masën 30% (masë e lejuar nga ligji) të disa taksave vendore, me qëllim forcimin e bizneseve ekzistuese, krijimin e bizneseve të reja, duke zgjeruar, në këtë mënyrë, bazën e tatimpaguesve. Pra eliminimi i menjëhershëm i kapërcimit mbi 10% të taksave me karakter të përkohshëm + taksat dhe tarifat e aplikueshme si dhe ulja në 30% e taksës së biznesit të vogël bën që praktikisht të ulen 50% taksat vendore. Lidhur me shërbimet sociale ne kemi prezantuar një platformë të qartë e të pasur. E synojmë t’i rikthejmë fytyrën humane institucionit të bashkisë së Vlorës dhe këtij qyteti. Kemi parashikuar qartë nismat që do të ndërmarrim sa i përket shërbimeve sociale të pasura e cilësore. Duke trajtuar të gjitha shtresat në nevojë, invalidët, gratë kryefamiljare, fëmijët në nevojë, të pastrehët, me projekte e nisma konkrete për të përmirësuar kushtet e tyre të jetës.
Si do të jetë Vlora e 100 vjetorit të Pavarësisë nën qeverisjen e Ardian Kollozit?
Natyrisht ne jemi bujtësit dhe festa do të jetë në shtëpinë tonë, e ne kemi detyrimin të sfidojmë kohën, për të pasur ato ditë një Vlorë nuse, për të pritur sikundër i ka hije gjithë shqiptarët, Vlora jonë, që më tepër se kurdoherë do të jetë atë ditë kryeqendër e shqiptarëve. Normalisht planet tona janë bashkërenduar edhe e programin e qeverisë për këtë ditë të shënuar. Konkretisht ne duam që t’i ri-japim Vlorës në radhë të parë reputacionit historik dhe turistik që meriton. Vlora duhet të shndërrohet në kryeqytet të sistemit territorial. Projekti ynë i madh është: Qendra historike e qytetit në pritje të 100 vjetorit të Pavarësisë: një qendër urbane e rivlerësuar në të gjithë dimensionin e saj historik, vendi që mbart vetëdijen tonë kolektive, një qendër tërheqëse, efikase, konkurruese dhe ekologjikisht miqësore, në gjendje për të marrë vlerësim në një nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Linjat e zhvillimit dhe implementimit në nivel zbatimi të këtij projekti do të bëhen me kontributin e forcave shoqërore dhe sipërmarrësit e qytetit si dhe duke kërkuar bashkëpunimin e ftuar studio prestigjioze projektimi ndërkombëtare. Projekti ynë për qytetin do të mbajë gjallë tensionin midis perspektivës të së ardhmes dhe sfidave në të ardhmen e afërt, në kushtet e një efiçence maksimale dhe, sidomos, sa më miqësorë me mjedisin. Një projekt qytetar që do të marre jete nga çlirimi i inteligjencës dhe energjisë se qytetit e gjendur në formën e organizatave jo qeveritare apo në mesin e njerëzve, duke ndërtuar marrëdhëniet e domosdoshme të bashkëpunimit midis aktorëve të ndryshëm që prodhojnë kapital social.
KUSH ËSHTË ARDI KOLLOZI
Ardi Kollozi lindi në Vlorë, më 10 Prill 1967, në një familje qytetare dhe arsimdashëse vlonjate. Pasi përfundoi shkollën 8-vjeçare Ismail Qemali dhe gjimnazin Halim Xhelo në Vlorë me rezultate të shkëlqyera, ai vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i inxhinierisë së Ndërtimit. Si inxhinier dhe administrator i suksesshëm i biznesit të tij në fushën e ndërtimeve, Ardi ka patur një njohje të thelluar të territorit të qytetit dhe problematikave të tij. Përfshirja e tij në politikë ka filluar me lëvizjen e dhjetorit, gjatë kohës që ai ishte student dhe idealet e dhjetorit e kanë shoqëruar gjatë gjithë veprimtarisë së mëvonshme politike. Për një kohë të gjatë ka qenë nënkryetar i PD, dega Vlorë dhe që nga viti 2009 është kryetar i kësaj dege, si dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Që prej vitit 2005 e në vazhdim Ardi ka qenë deputet në Parlamentin Shqiptar, ku ka përfaqësuar zërin e bashkëqytetarëve të Vlorës në nivel qendror dhe ka ndikuar fuqishëm që të kthejë sytë dhe vëmendjen e Qeverisjes qendrore nga Vlora nëpërmjet investimeve të mëdha. Kështu mund të përmendim faktin që ka lobuar fort për zhvillimin dhe nisjen e investimit të madh të Qeverisë për ndërtimin e ujësjellësit të Vlorës dhe për ndërtimin e rrugës Trans-ballkanike. Gjithashtu me këmbënguljen e tij ndikoi fuqishëm për nisjen e rrugës Levan-Vlorë, e cila lidh në mënyrë komode Vlorën me aksin Veri-Jug si edhe rrugën e bregdetit deri në Sarandë. Ridimensionimi i kapacitetit të portit ekzistues të Vlorës, nëpërmjet një projekti të madh të Qeverisë, i cili do të fillojë së shpejti, ka ardhur gjithashtu edhe si rrjedhim i kontributit të madh të Ardit. Ka koordinuar dhe nxitur hartimin e projektit të unazës së madhe dhe është duke lobuar fort për sigurimin e fondeve për zbatimin e këtij projekti në një kohë sa më të shkurtër. Gjithashtu ka koordinuar dhe nxitur punën për të zgjidhur definitivisht problemin e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe ndërtimit të një landfilli. Ka lobuar pranë Qeverisë për 6 fishimin e grantit të pakushtëzuar për Bashkinë e Vlorës. Si deputet i Vlorës që nga viti 2005, Ardi ka një kontribut të spikatur në hartimin dhe ndryshimin e disa ligjeve të rëndësishme; ka qenë hartues dhe relator i Ligjit të legalizimeve, hartues dhe relator i ligjit të Inspektoriatit të Ndërtimit; Hartues dhe relator i ligjit të ri të Planifikimit të Territorit, amendimit të ligjit për kthimin e tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi, pa shpërblim; etj. Ardi Kollozi dhe bashkëshortja e tij Arbana kanë tre fëmijë Endi, Stefani dhe Mamica. Familja dhe qyteti i tij kanë qenë pikat më të forta të referimit për Ardin, të cilat nuk i ka lënë për asnjë moment gjatë periudhës së deputimit të tij në Parlamentin Shqiptar. Përkushtimi dhe ndjeshmëria e Ardit ndaj problemeve të qytetit dhe bashkëqytetarëve të tij, si dhe eksperienca dhe protagonizmi i tij social dhe politik e bëjnë atë një kandidat vizionar dhe të besueshëm, për të ndryshuar Vlorën, në një aleancë të re me qytetarët.
...