E Diel, 1 Nëntor 2026

“BE-ja pret zhvillime inkurajuese nga Shqipëria”

Intervista/ Angela Filote, zëdhënësja e Komisionerit të BE për Zgjerimin Stefan Füle

Angela Filote, zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerimin dhe Politikën e fqinjësisë, Stefan Füle, përmes një interviste televizive, ka deklaruar se BE pret zhvillime pozitive nga Tirana, nisur nga dialogu politik i nisur pak ditë më parë, përmes një tryeze të kreut të shtetit. Ajo thotë se zgjidhja e ngërçit, do ta fokusonte politikën shqiptare drejt reformave të brendshme, të cilat mbeten edhe parakushtet e integrimit të Shqipërisë. Zëdhënësja e komisionarit për Zgjerimin dhe Politikën e fqinjësisë, apelon për kapërcim të shpejtë të situatës dhe njëherazi bën thirrje, për ndjekjen e një politike që shkon në kah të drejtë me aspiratat e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Sot është takimi veç e veç i pozitës dhe opozitës me Presidentin. Palët kanë bërë të ditur, se të enjten e ardhshme mund të zhvillohet një takim, nga i cili priten rezultatet. Cili është qëndrimi i Komisionit Europian për këtë?
Ne i mirëpresim këto zhvillime dhe do të jemi të kënaqur, nëse do të ketë progres në dialogun politik, që t’i mundësojë vendit që të fokusohet në reformat e brendshme, që janë shumë të nevojshme edhe për perspektivën europiane të Shqipërisë.

Si po i ndjek Komisioneri Füle këto zhvillime? Tani është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi ajo ka paraqitur kandidaturën e saj dhe do të jetë vetë Füle që do të japi opinionin për këtë kandidaturë. A e ka dëmtuar kjo periudhë bojkoti këtë proces?
Komisioneri Füle po ndjek shumë nga afër zhvillimet. çdo ditë ne po shohim, se cilat janë zhvillimet e reja në Shqipëri, duke shpresuar që këto zhvillime të jenë inkurajuese. Komisioneri Füle do të ketë një takim kokë për kokë me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi për të folur lidhur me prioritetet e vendit për ecurinë në perspektivën e anëtarësimit. Takimi midis Komisioniert Füle dhe Presidentit shqiptar do të shërbejë gjithashtu për të rënë dakord mbi një datë, se kur Komisioneri mund të vizitojë Shqipërinë për të pasur një diskutim më të gjerë me të gjithë faktorët dhe aktorët më të rëndësishëm të përfshirë në këtë proces. Takimi do të zhvillohet në Zagreb, pasi Komisioneri Füle do të marrë pjesë si dhe Presidenti juaj, në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri kroat.

Autoritetet shqiptare kanë fiksuar një afat kohor deri në 6 mars për të zgjiidhur ngërçin politik në vend. A mund të themi, se komisioneri Füle do ta vizitojë Tiranën para 6 marsit?
Nuk mund të komentoj për afatin e 6 marsit, por ajo që mund të them, është që Komisioneri Füle a ka planifikuar vizitën në Shqipëri, në një nga vizitat që ai do të kryejë në një kohë shumë të shkurtër, pasi Shqipëria bën pjesë te vendet e rëndësishme të portofolit që ai mbulon. Kështu që sapo të fiksohet një datë, me Presidentin, ai do të jetë i gëzuar që të vizitojë Shqipërinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›