Belgjika premton liberalizimin e vizave për shqiptarët, brenda verës së këtij viti

Kryeministri belg në takimin me Berishën shprehet për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve
Vendi që pret të marrë Presidencën e Bashkimit Evropian në muajin korrik të këtij viti, Belgjika, shprehet se do të lobojë fuqishëm me vendet e Unionit, për kuadrimin e plotë të Shqipërisë në rrjedhën integruese.
Kryeministri belg, Yves Leterme, gjatë një takimi të zhvilluar dje me kryeministrin Sali Berisha, me ftesë të këtij të fundit, premtoi heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, brenda verës së 2010-ës dhe njëherazi konfirmoi angazhim institucional të Brukselit, në mbështetje të aspiratave të Shqipërisë.
“Shqipëria është në rrugën e duhur për të përfituar liberalizimin e vizave. BE mbështet çdo hap që i hap rrugë lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë”, vlerësoi Leterme, vendi i cilit në korrik të këtij viti do të marrë presidencën e radhës të BE.
Leterme siguroi mbështetjen e vendit të tij për realizimin me sukses të këtij procesi vendimtar për aspiratat integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Të njëjtën mbështetje, kryeministri belg konfirmon edhe për marrjen e statusit kandidat.
“BE ka prioritet mundësinë e heqjes së vizave për shqiptarët. Përgëzova Berishën për progresin që është bërë për heqjen e vizave. çështja e vizave është një çështje teknike, dhe jo politike ndaj duhen plotësuar kushtet për liberalizmin e tyre. Unë e inkurajova Kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare të vazhdojnë dhe të arrijnë në angazhime në drejtim të kërkesave dhe kushteve të autoriteteve europiane të fushës. Unë e konsideroj procesin e liberalizmit të vizave teknik dhe jo politik. është shumë e rëndësishme të plotësohen të gjitha kushtet dhe mendoj se të gjithë qytetarët europianë dhe qytetarët shqiptarë, qytetarë të ardhshëm evropianë, e meritojnë këtë lloj trajtimi.
Për ta përmbledhur aspektin europian, dua të nënvizoj përsëri se ne e inkurajojmë Shqipërinë në rrugën e vet europiane dhe jemi të gatshëm të japim ekspertizë për ta mbështetur më konkretisht”, u shpreh Leterme.
Ai vuri në dukje se pret të marrë Presidencën e BE-së në korrik të këtij viti, ndaj vendi i tij është i angazhuar në një të ardhme të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Anëtarësimi i Shqipërisë do sillte më shumë stabilitet në rajonin e Ballkanit”, theksoi ai.
Kryeministri i Belgjikës tha se i premtoi Berishës se vendi i tij do të ndihmojë me ekspertizë Shqipërinë për plotësimin e pyetësorit për anëtarësim në BE.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri vlerësoi progresin e Shqipërisë ka shënuar progres të dukshëm.
Ndërsa nga ana e tij kryeministri Sali Berisha tha se kishte diskutuar me homologun belg për një sërë fushash të bashkëpunimit, duke përmendur këtu marrëveshje në luftë kundër krimit të organizuar, marrëveshje për të burgosurit.
“Jemi të gatshëm të firmosin çdo marrëveshje me Belgjikën në interes të luftës kundër krimit të organizuar. Po punohet edhe në fushën e sigurimeve shoqërore. Shpresoj që së shpejti do të përfundoj edhe një marrëveshje në fushën e arsimit”, deklaroi Berisha.
Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Leterme për vizitën e tij, që shënon edhe vizitën e parë të një kryeministri belg në Shqipëri, duke e konsideruar “një vizitë historike” dhe “kontribut madhor në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
“Shqipëria dhe Mbretëria e Belgjikës kanë një kuadër ligjor bashkëpunimi shumë të mirë, kanë marrëdhënie miqësore të zhvilluara. Jam i bindur se kjo vizitë është një kontribut madhor në këto marrëdhënie. Shfrytëzova rastin për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Kryeministrit Yves Leterme për të gjithë mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë, në përpjekjet e saj për ndërtimin e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe integrimit euroatlantik. Belgjika ka mbështetur fuqishëm aspiratat e shqiptarëve për integrimin në NATO”, tha kryeministri.
Në fushën e marrëdhënieve dypalëshe, të dy kryeministrat i vlerësuan ato si mjaft të mira, por siç u shprehën kryeministrat, ka ende vend për intensifikim dhe përmirësim të këtyre marrëdhënieve.
“Në mënyrë të veçantë, për mendimin tim, marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe në fushën e turizmit mes Belgjikës dhe Shqipërisë nuk janë aq intensive sa duhet. P.sh. sistemi i taksave te ju krijon një mjedis miqësor për investime dhe pozicioni i Shqipërisë në rajon është i favorshëm si një treg i ardhshëm i afërt i BE-së. Prandaj, unë i bëj thirrje të gjithë investitorëve të kapin çdo mundësi, që janë këtu në Shqipëri dhe të bëhen më aktivë në fushën ekonomike”, tha Leterme.
Berisha dhe Leterme mbështetën marrëveshjen për transferimin e të ndaluarve që janë pa leje qëndrimi. Në luftën kundër krimit të organizuar dhe ndërkombëtar, Leterme, vlerësoi angazhimin e qeverisë.
“Jam i gëzuar qe kolegu im Berisha pranoi një marrëveshje lidhur me transferimin e të ndaluarve që janë pa leje qëndrimi. Kryeministri Berisha deklaroi një hap shumë të rëndësishëm lidhur me luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Unë falënderoj qeverinë shqiptare për gatishmërinë e saj për të nënshkruar një Protokoll në këtë fushë”, u shpreh më tej, kryeministri belg Leterme.