E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit në grevë, letër ambasadorëve

Letra është nënshkruar nga 13 të ish-të burgosur, shpreh indinjatë ndaj qeverisë aktuale, që e quan neokomuniste.

“Ju lutemi hajdeni të shikoni sesi akoma dhe sot neo-komunistët në pushtet po përçudnojnë jetë njerëzish dhe nuk kanë sensibilitetin më të vogël human për të drejtat tona. Ne nuk kërkojmë vila të Gjiri i Lalzit sic qeveritarët tanë gëzojnë nga lekët që vjedhin dhe masakrojnë këtë popull, nuk i kërkojmë vilat as të veshura me mermer, as me tavolina pokeri e as të pajisura me sauna e tavolina bilardoje siç ministrat tanë i kanë shtëpitë e tyre”, thuhet në reagim.

Midis kërkesave të tyre, janë ato për një banesë, si dhe punë. “Ne duam vetëm atë që Kushtetuta na garanton, ajo Kushtetutë dhe ajo drejtësi për të cilën ne sakrifikuam gjithë jetën tonë. Asnjë nga ne nuk del i gjallë nga kjo grevë pa u plotësuar të drejtat tona minimale krahasuar me ç’të drejtë na takon”, thuhet më tej.

Për rastin, reagoi sot edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), e cila shpreh shqetësimin shqetësimin qytetar, “dhe dhimbjen njerëzore ndaj këtij grupi që kanë vuajtur aq shumë gjatë regjimit komunist”. Për KShH-në tërheq vëmendjen fakti se edhe pse ka kaluar afro një javë nga dita kur ata kanë hyrë në grevë urie, asnjë përfaqësues i organeve kompetente shtetërore, nuk ka marrë asnjë takim me ta.

“KShH mendon se grevistët duhen dëgjuar edhe sqaruar me durim për ankesat dhe pretendimet që mund të kenë dhe që në fakt i kanë bërë publike si gjatë protestave edhe gjatë ditëve të grevës së tyre, madje deri edhe para Ambasadorit të ShBA-së. Është kjo arsyeja që KShH bën thirrje për organizimin e shpejtë të një takimi të tillë. KShH, me keqardhje konstaton gjithashtu se deri ditën e djeshme (28 shtator 2012) organet shëndetësore nuk kanë treguar interes dhe as nuk kanë qënë të pranishëm dhe të gatshëm për të dhënë ndihmën e nevojshme shëndetësore. Kjo asistencë në raste të tilla është jo vetëm e ligjshme, por edhe humanitare. KShH në këtë vështrim ka parasysh moshën e thyer, gjendjen e rënduar shëndetësore, si dhe kushtet në të cilat zhvillohet greva”, thuhet në reagim. /Start/

                                                                                             2012-09-29 12:22
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›