E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit, në mars shpërndarja e 220 milionë lekëve

Krahas fondit të parashikuar në buxhetin e shtetit, do të vihen në dispozicion edhe 10% e të ardhurave nga privatizimet

Në tre vitet e qeverisjes së djathtë, fondi për ish-të përndjekurit është djegur nga mos-hartimi i listave

TIRANË- Shpërndarja e fondit të ish-të përndjekurve politikë mund të fillojë që në mars të vitit të ardhshëm. Fondi prej 220 milionë lekësh, i akorduar për buxhetin e vitit 2009, do të nisë të shpërndahet për këtë kategori, sapo të përfundojë përpilimi i listës nga Ministria e Drejtësisë. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se, së bashku me fondin prej 220 milionë lekësh, të përndjekurit do të përfitojnë edhe 10 për qind të të ardhurave që do të përfitohen nga privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Ky i fundit është në negociata për t’iu shitur çekëve të CEZ s.a., të cilët kanë ofruar 102 milionë euro. Nisma ishte propozuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë nga deputeti demokrat Bujar Leskaj. Sipas procedurës, lista e të përndjekurve, të cilët do të përfitojnë nga ky fond, do të përpilohet nga Ministria e Drejtësisë për të marrë më pas edhe miratimin e Parlamentit. “Shuma prej 220 milionë lekësh është gati, tani presim listën e ish-të përndjekurve, e cila do të përgatitet nga Ministria e Drejtësisë. Pas miratimit të listës paraprake, ne mund të fillojmë menjëherë me shpërndarjen e këtij fondi”,- shprehen burime nga Ministria e Finacave. Sipas specialistëve, përfundimi i procesit të përgatitjes së listave nga Ministria e Drejtësisë, pritet të ndodhë në muajt e parë të vitit të ardhshëm, ku pritet të fillojë edhe shpërndarja e fondit, i cili konsiderohet si më i madhi i propozuar ndonjëherë. Krahas shpërndarjes së dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë, në muajt e parë të vitit të ardhshëm, të cilët përputhen me nisjen e fushatës për zgjedhjet parlamentare, qeveria ka planifikuar të bëjë edhe rritjen e pagave për buxhetorët. Qeveria ka miratuar çdo vit një zë të veçantë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, por asnjëherë ata nuk kanë mundur të marrin paratë, pasi fondi është djegur për shkak të zvarritjes së procedurave, siç janë listat e detajuara. Sipas ligjit, Ministria e Drejtësisë përpilon listën e plotë të ish-të përndjekurve që përfitojnë dëmshpërblim, të cilën, pas miratimit nga Parlamenti, ia dërgon Ministrisë së Financave. Kjo e fundit ka përsipër shpërndarjen e këtij fondi për secilin ish-të dënuar nëpërmjet hapjes së një llogarie bankare. Pas këtyre procedurave, ish-i dënuari është i detyruar ta tërheqë fondin e përcaktuar për të brenda periudhës kohore prej 3 vjetësh, në të kundërt, shuma kalon automatikisht në Thesarin e Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›