ZMQ-ja, korrupsioni dhe papunësia problem për shqiptarët
Media ka ndikuar më shumë në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë qëpengesa kryesore në luftën kundër tij është moszbatimi i ligjeve
TIRANË- Papunësia, korrupsioni dhe pronat, janë tre çështjet kyçe, që kërkohet zgjidhje jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga vetë shqiptarët. Në një sondazh të realizuar nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, tre hallkat e mësipërme mbeten problemet kryesore që shqetësojnë më shumë shqiptarët. Ajo që bie në sy në këtë sondazh është se shqiptarët mbeten ende të paqartë lidhur me rolin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, edhe pse kjo e fundit e ka konsideruar këtë çështje si qëllimin kryesor, por që për shqiptarët mbetet shqetësuese dhe tregohen mosbesues në atë çka qeveria po bën në këtë drejtim. Institucionet më të besueshme për shqiptarëtkonsiderohen media, shoqëria civile dhe Presidenti i Republikës, ndërsa mbeten dyshues lidhur me institucionet që në të vërtetë duhet të reflektojnë besim tek ta, siç janë gjykatat dhe prokuroria. Sipas shqiptarëve, sektorët më pak të besueshëm janë Zyrat e Përmbarimit, Doganat dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në top-listën e organeve që kanë ndikuar më shumë në luftën kundër korrupsionit, kryeson media, ndërkohë qëpengesa kryesore në luftën kundër tij është moszbatimi i ligjeve. Kanë qenë 36% e qytetarëve, që e shohin moszbatimin e ligjit si faktor pengues në luftën kundër korrupsionit, 18% e tyre radhisin mungesën e vullnetit politik dhe rreth 11% e tyre kërkojnë një reagim më të fortë civil. Në pyetjen se çfarë do të kërkonit më tepër për të luftuar korrupsionin, 38% e të anketuarve thonë se duhet më shumë reagim qytetar, 21% i kanë shpresat tek një media profesionale dhe e pavarur dhe afro 17% më shumë transparencë në vendimet e qeverisë. “Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve konstaton nëpërmjet këtij studimi se shqiptarët kërkojnë një reagim më të madh qytetar ndaj fenomenit të korrupsionit dhe rendisin mungesën e zbatimit të ligjeve si një nga arsyet kryesore për mosluftimin sa duhet të korrupsionit”,- tha dje gjatë prezantimit të sondazhit, përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Julian Kola. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve kishte zgjedhur pikërisht ditën e djeshme për të bërë publik këtë sondazh, ditë kjo që përkonte edhe me ditën botërore kundër korrupsionit. Sondazhi është kryer në 5 qytete kryesore të Shqipërisë, me intervistimin e 1300 qytetarëve.
Cilat nga këto grupe kanë kontribuar më mirë në luftën kundër korrupsionit?
Media 679
Shoqëria civile 621
Presidenti 485
Ekzekutivi 435
Opozita 430
Prokuroria 370
Gjykata 340
Policia 230
Doganat, tatimet 130
Agjencia e Pronave 110
Përmbarimi 80
Çfarë i pengon më tepër arritjet në luftën kundër korrupsionit?
Moszbatimi i drejtë i ligjeve 36%e qytetarëve
Mungesa e vullnetit politik 18%e qytetarëve
Mungesa e një reagimi më të fortë civil e qytetar 11%e qytetarëve
Mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional 10%e e qytetarëve
Mungesa e ligjeve 9%e qytetarëve
Mungesa e informacionit për opinionin e gjerë 9%e qytetarëve
Mosekzekutimi vendimeve gjyqësore 7%e qytetarëve
Ju personalisht çfarë do të kërkonit më tepër?
Më shumë reagim qytetar 38%
Një media të pavarur dhe profesionale 21%
Më tepër transparencë në vendimet e qeverisë 17%
Më tepër transparencë gjatë procesit të hartimit të ligjeve 17%
Më tepër transparencë në vendimet në Gjykatë 7%
Ku ju është dhënë mundësia për të dhënë kontributin tuaj?
Aktivitetet të shoqërisë civile 50%
Në media 26 %
Në një proces gjyqësor 16%
Në hartimin e politikave ekonomike-sociale e integruese të qeverisë 7%
Gjatë proceseve të hartimit të ligjeve në Kuvend 1%
Cili është problemi që shqetëson më tepër shoqërinë shqiptare sot?
Papunësia 850
Korrupsioni 740
Sistemi Shëndetësor 470
Çështja e pronës 470
Sistemi arsimor 360
Procesi i ardhshëm zgjedhor 290
Trafikimet 250
Mungesa e infrastrukturës 240
Mungesa e energjisë elektrike 190
Kryetari i PS-së tha dje se është koha që të kërkohet drejtësi për fatkeqësinë e ndodhur në Gërdec, por edhe për abuzimin financiar të shkaktuar në rrugën Durrës-Kukës
Dita kundër korrupsionit, Rama: Është koha për drejtësi
TIRANË- Në Ditën Botërore Kundër Korrupsionit, kryetari i PS-së, Edi Rama, përmes një konference për shtyp, ka deklaruar se është koha që të kërkohet drejtësi për fatkeqësinë e ndodhur në Gërdec, por edhe për abuzimin financiar të shkaktuar në rrugën Durrës-Kukës. “Sot është dita kur shqiptarët kërkojnë me zë më të lartë se asnjëherë, drejtësi për 26 viktimat e pafajshme të Gërdecit e për qindra familjet e dëmtuara nga vullkani i korrupsionit shtetëror që shpërtheu në Gërdec. Drejtësi për qindra miliona euro të grabitura nga fondet e rrugës Durrës-Kukës, të cilat kjo qeveri që, ditën betohet për popullin, e natën pasurohet për vete, do t’ua lerë borxh në kurriz familjeve shqiptare dhe fëmijëve të tyre,”- tha Rama. Duke dashur të kujtojë atë çka solli në të vërtetë qeveria e votuar në 2005-n, Rama ka theksuar se qeveria aktuale është e njësuar më korrupsionin dhe se një qeverisje e dytë e Berishës do të shpërdoronte sërish votën e shqiptarëve.
“Sot është dita kur shqiptarët që votuan në 3 korrik 2005 për një qeveri duarsh të pastra, e shohin më qartë se asnjëherë që vota e tyre ka shkuar dëm. Sot është dita kur shqiptarët që votuan në 3 korrik 2005 për një qeveri kundër korrupsionit, e kuptojnë më qartë se asnjëherë që qeveria është njehsuar me korrupsionin. Sot është dita kur shqiptarët që votuan në 3 korrik 2005 për t’i dhënë Sali Berishës shansin që t’i udhëheqë jashtë tunelit të korrupsionit, e ndjejnë më qartë se asnjëherë se dalja nga ky tunel është e pamundur me Sali Berishën në krye të qeverisë”- u shpreh ai. Rama, gjithashtu, shprehu nevojën që kanë shqiptarët për të pasur drejtësi në çdo gjë që i rrethon. “Drejtësi për abuzimin marramendës të një grushti pushtetarësh me një sekser serb, që ka kthyer në sekser të tijin Kryeministrin e Shqipërisë dhe brenda 3 vjetësh ka bërë në Shqipëri 50 milionë euro, pa pasur asnjë aktivitet tjetër përveç bashkëpunimit korruptiv me qeverinë dhe pa paguar asnjë qindarkë taksa. Drejtësi për pronat që grabiten përditë në agjenci e zyra shtetërore, ku sekserët e klanit qeveritar bëjnë kërdinë, duke zhveshur nga e drejta e pronës, qoftë qytetarë të pafuqishëm të këtij shteti, e qoftë shtetin e të gjithë qytetarëve dhe duke bërë pronarë të afërmit e klientët e pushtetit”,- tha Rama. Duke theksuar se tashmë është koha për të kthyer faqen e zezë të keqqeverisjes së 17 vjetëve tranzicion, Rama ka bërë thirrje për bashkim përtej bindjeve politike për një Shqipëri më të mirë. “Sot, unë u them të gjithë shqiptarëve, socialistëve e demokratëve pa dallim, qytetarëve e qytetareve të këtij vendi të marrë peng nga një grusht politikanësh, se është koha për t’i dhënë jetë një bashkimi të ri burrash e grash që duan një Shqipëri të drejtë e të barabartë me të gjithë. Ora e kthesës po afron, vetëm të bashkuar si shqiptarë e shqiptare, qytetarë e qytetare, pastaj edhe si socialistë e demokratë, që duan një atdhe të denjë për fëmijët e tyre, ne mund ta bëjmë realitet kthesën e madhe”,- tha kreu socialist.
Drejtuesi i G99 jep një konferencë për shtyp para ndërtesës së kryeministrisë
Veliaj: Slogani i Berishës për korrupsionin, mashtrim
TIRANË- Për Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ka reaguar dje edhe G99-a përmes një konference të mbajtur para Kryeministrisë. Mbi 30 policë janë përpjekur të ndalojnë drejtuesin e kësaj lëvizjeje, ErionVeliaj, i cili, pas shumë përpjekjesh, ka mundur që të realizojë edhe konferencën për shtyp, përkarshi Kryeministrisë. "Sot është Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, e fundit që kjo qeveri kalon. Vlen sot të bëhet bilanci i kësaj qeverie për luftën kundër korrupsionit. Beteja kundër korrupsionit nuk mund të fitohet në një kohë kur institucionet më të dobëta të shtetit shqiptar janë KKRT-ja, Gjykata, Prokuroria, KQZ-ja, Pushteti Lokal dhe Administrata Publike. Sali Berisha dhe qeveria e tij, pasi arritën përqendrimin e pushtetit, realizuan edhe përqendrimin më të madh të korrupsionit që ka parë vendi. U bë e qartë që slogani i Berishës ishte një mashtrim. Berisha nuk kishte problem me korrupsionin. Problemi i tij ishte që nuk po e bënte ai korrupsionin. Tashmë Berisha e ka hequr atë merak. Korrupsioni i qeverisë së tij po lulëzon dhe tre janë kolonat kryesore të tij”,- tha dje Veliaj, duke përmendur pikërisht abuzimet me rrugën Durrës-Kukës, tragjedinë e Gërdecit, si dhe biznesin e dyshimtë të serbo-boshnjakut, Damir Fazlliç. “Deri më sot, gjatë gjithë karrierës së tij politike, Berisha kurrë nuk ka pasur vullnetin për të luftuar korrupsionin, apo dëshirën për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm. Lufta kundër korrupsionit duhet të bazohet në një vullnet të mirëfillte politik për krijimin e një sistemi të kontrollit dhe ekuilibrit mes institucioneve. Vetëm kështu Shqipëria mund të largohet nga trashëgimia e korrupsionit, që vazhdon në të gjithë 18 vitet e tranzicionit”,- tha Veliaj.