Spahiu: Gjykatë luksoze, vendime defektoze
Numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i pranishëm në analizën që i është bërë dje veprimtarisë së Gjykatës së Sarandës për vitin 2008, e ka thënë qysh në nisje të kësaj analize se ajo renditet ndër ato gjykata që janë më në vëmendje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kjo, për shkak të spekulimeve të mëparshme në këtë institucion të drejtësisë, sidomos me çështje të pronësisë. Por edhe të mbizotërimit të një klime përplasjesh mes kolegëve e drejtuesve të mëparshëm. Sipas Spahiut, tashmë me ambiente të rikonstruktuara, nuk është aq cilësore sa ka pamjen. Sensi kritik është drejtuar me theks të veçantë në faktin që mjaft vendime të gjykuar në Shkallë të Parë në Sarandë janë prishur nga Gjykata e Apelit. Ai e ka quajtur këtë si tregues të cilësisë së keqe dhe profesionalizmit të ulët të gjykimit. Investimi i bërë që ka krijuar kushte luksoze pune për gjyqtarët e Sarandës, u shpreh Spahiu, nuk është shoqëruar me kompetencë, profesionalizëm dhe seriozitet e cilësi në gjykim. Ai është interesuar të dijë edhe nëse duken përmirësime edhe në respektimin e etikës gjyqësore dhe të marrëdhënieve mes trupës gjyqësore.