E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish të përndjekurit, qeveria akordon 1.5 miliardë lekë

Vendimi Qeveria e miratoi këtë nismë vetëm pak ditë pasi PS lançoi planin për afrimin e kësaj shtrese sociale

Qeveria e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha duket se ka marrë shtysë nga Kongresi i Partisë Socialiste, që përfshiu në programin e saj shtresat e ish të përndjekurve dhe ish-pronarëve. Këshilli i Ministrave ka marrë dje vendimin për akordimin e dëmshpërblimit financiar për 427 ish të dënuar politikë, në vijim të vendimeve të mëparshme që qeveria ka marrë për këtë shtresë qytetarësh. Sipas informacioneve të publikuara nga qeveria, vlera për këto dëmshpërblime përllogaritet në vlerën totale 1 473 405 284 lekë dhe nga kjo shumë përfitojnë 398 persona, të cilët kanë qenë të dënuar me burgim, 16 persona që kanë qenë të dënuar me dënim kapital dhe 13 të tjerë, të cilët përfitojnë dëmshpërblimin 0 lekë, si rezultat i përfitimeve të mëparshme që kanë pasur për shkak të statusit të tyre. Sipas qeverisë, në procesin aktual të dëmshpërblimit nuk janë përshirë personat që kanë vuajtur internimin në kampet e rrethuara me gjemba deri në vitin 1954, pasi procesi i verifikimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për këtë kategori ende nuk ka përfunduar. “Projektvendimi i qeverisë nuk përcakton dëmshpërblimin e personave të dënuar me internim apo dëbim, pasi dëmshpërblimi i këtyre personave do të jetë objekt i një vendimi tjetër të Këshillit të Ministrave”, theksohet në njoftimin për shtyp në lidhje me këtë vendim të marrë në mbledhjen e radhës së qeverisë. Në mënyrë të herëpashershme qeveria ka marrë vendime për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve, të cilët janë konsideruar si një shtresë historikisht e djathtë dhe mbështetës e të djathtës në vend. Kreu i qeverisë theksoi pak ditë më parë, se ndonëse Partia Socialiste e ka futur në programin e saj mbrojtjen e këtyre shtresave, përsëri ish të përndjekurit nuk mund ta votojnë, pasi programi i një partie është frymë dhe shpirt, jo germa dhe nisma të shkruara në letër. Partia Socialiste ka gati projekt-programin e saj, ku dhe ka përcaktuar shtyllat kryesore të vizionit të saj politik, mbi bazën e të cilit do të orientojë dhe qëndrimet e saja në të ardhmen. Në gjashtë kapitujt e këtij drafti, përveç parimeve të përgjithshme, ku PS-ja evidentohet si një forcë e qendrës së majtë, përcaktohen në mënyrë të detajuar objektivat e saj për çështje tepër të rëndësishme, siç është vota, feja, liria, puna, strehimi, zhvillimi ekonomik, energjia, arsimi, shëndetësia, por ku natyrisht janë përfshirë për herë të parë edhe dy qëllime të tjera: rehabilitimi i ish të përndjekurve dhe ish-pronarëve. Të dyja këtyre çështjeve, në këtë projekt-program i është kushtuar nga një pikë e veçantë, nëpërmjet të cilave zgjidhja e tyre vlerësohet si domosdoshmëri për demokracinë shqiptare. “Rehabilitimin dhe integrimin në shoqërinë e sotme të ish të përndjekurve politikë, ne socialistët e vlerësojmë si tregues të emancipimit të shoqërisë sonë, si shprehje tolerance e humanizmi, si garanci që asnjë forcë politike të mos lejojë praktikat e të përndjekjeve politikë. Ne do të bashkëpunojmë me ish të përndjekurit politik për kompensimin, përfshirjen dhe integrimin e tyre ekonomik, politik e shoqëror”, thuhet në draftin e programit të selisë rozë, ku flitet për këtë kategori sociale.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›