TOLERANCA FRUSTRACIONALE
Mungesa e suksesit dihet që të frustron, të ngarkon me mjaft emocione, të jep një “frymëzim” rë malultë dhe të krijon situata të papëlqyera. Askush nuk e do mossuksesin, por ai vjen vetiu, përmes rrugës së sigurt ku shkelin dështimet. Ilaçi shërues për t’i bërë ballë mossuksesit, sidomos atij të përkohshëm, është toleranca frustracionale, e cila kthehet në një aftësi interesante për ta duruar këtë dukuri të jetës, për t’i bërë ballë vështirësisë a fatkeqësisë që na ka gjetur, për ta zgjidhur problemin e vështirë që është i pranishëm e na lidh këmbët, i cili natyrisht kërkon një shqyrtim objektiv, duke i parë shkaqet e vërteta në sy. Të gjitha këto nuk janë aq të thjeshta për t’u bërë. Psikologia sociale Linda Perhof (2007) parashtron ide mjaft të guximshme për të dalë nga frustrimi, ankthi e stresi, me anën e tolerancës frustracionale, të cilën e këshillon si një “medikament” vetëshërues të mrekullueshëm, duke shtruar dy probleme. E para njeriu zotëron në mënyrë racionale e të vullnetshme klimën e brendshme të përshtatshme për të vetanalizuar ngjarjen, dukurinë, shqetësimin, mossuksesin, dështimin etj. Kjo klimë krijohet duke ndryshuar përkohësisht mjedisin. Një shëtitje vetëm ose me një koleg a partner/e, një kafe në natyrë, të flasësh për një temë tjetër para kamerës a një mikrofoni, të vizatosh, të shkruash diçka për qejf, të hulumtosh këngët më të bukura, të shohësh një ekspozitë... Numërohen edhe mjaft rrugë të tjera interesante. Janë gjëra fare të thjeshta, të jetës, të cilat njeriu i di, por sigurisht nuk i vlerëson.
E dyta rrugë është vendosja e raportit të ri me shkakun e “krizës” që ka ndodhur, d.m.th. e shqetësimit, frustrimit, dështimit, ankthit, stresit. Por po nuk krijove dot klimën e brendshme nuk mund të analizosh për të gjetur shkaqet që të çojnë te ngjarja, tek ajo që ka ndodhur, në mënyrë që të vendoset raporti i ri. Nëse ti ke dështuar në mbrojtjen e doktoraturës, p.sh. dhe ke analizuar gjendjen, do të gjesh shtigje të reja për të arritur qëllimin, pasi për të arritur “suksesin”, dështimin, është e thjeshtë. Nëse ti ke humbur zgjedhjet, p.sh., dhe pas kërkesave të gjata dialoguese nuk e arrite dot qëllimin, sigurisht është tejet e bezdisur që t’i biesh sërish fyellit në një vrimë, apo të këndosh sërish të njëjtin avaz, sepse nuk arrin dot gjë dhe përkrahësit i largon. është një gjë e thjeshtë për të arritur në një marrëveshje. Kërkohet që pas analizës gjakftohte dhe jo vetëm, pasi gjithçka kanalizohet në kaleidoskopin vetjak, të vendoset një raport i ri me realitetin dhe, sigurisht, pa e ndryshuar synimin. Për ta arritur këtë duhen “shtatë ‘hile’ dhe një trimëri”...
Mësimi i vetëm që na jepet në këtë rast është: “Ta edukojmë veten që ndaj vështirësive të mos reagojmë me tërbim dhe agresivitet”. Mirë, ti i dashur mik, nuk e arrite synimin tënd, dështove përkohësisht dhe pas këtyre gjasave bëre analizën tënde gjakftohtë, duke e futur veten në rrugë të mbarë, thjesht me tolerim të gjendjes së vështirë, duke çelur shteg të ri, për të ecur me energji tjetër dhe optimizëm realist, pa rënë nën efektin e optimizmit të rremë. Ky është një përballim dinjitoz. Mirëpo janë kaq shumë të dendura rastet tona që pas dështimit real ndodh një tërbim inatçor, një vrull i lemerisur inati dhe një shpërthim “vullkanik” i tij, llava e të cilit vërshon duke përmbytur gjithë ç’gjen përpara. Kjo, s’ka fjalë, që është e rrezikshme dhe ti shkon tek ideja që pas humbjes tënde le të përmbyset bota, punë e madhe! Jo, të tjerët kanë të drejtën e Zotit për të jetuar dhe për të mos u bërë hi i mungesës së tolerancës sate frustracionale.
Linda Perhof (2007) ka vënë re se çdo mossukses tonin të mos përpiqemi ta arsyetojmë duke e kërkuar shkakun te të tjerët. POR MBI Të GJITHA TEK VETJA! Ose ta kërkojmë shkakun e mossuksesit, të dështimit ATJE KU NUK EKZISTON. Vështroni brenda mjedisit tuaj të ngushtë: sa raste të ngjashme do të gjeni. “Sa pak duhet ta gëzojmë jetën nëse nuk shqetësojmë kurrë veten!”, shkruan La Roshfokod (Maksims, 1665). E pra, është koha e bukur për ta shqetësuar veten dhe për të mos u hedhur degë më degë, ndonëse me një gjuhë të bukur e me tension dramatik. Kërkimi i Berri Shlenker (2006), socialpsikolog i njohur amerikan, na jep një mundësi të re mjaft efikase. Për të dalë nga gjendja frustracionale, me një tolerancë të habitshme, çdo njeri duhet të merret sadopak me vetveten duke iu dhënë përgjigjen që mendon DHJETë URDHëRESAVE Të SHENJTA. Do të vini re se çdo gjë varet nga gjendja përditëse psikologjike vetjake. Nuk është fetare, as çështje besimi, por çështje e zotërimit të vetes...