E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitja e tokës, ende asnjë masë për Currilat

Durrës Ndërhyrja, peng i procedurave

Rrëshqitjet masive të dherave në zonën kodrinore të Durrësit kanë krijuar një situatë emergjente për dhjetëra objekte që ndodhen në të. Deri më sot, ndërhyrjet kanë qenë të papërfillshme dhe kryesisht në pastrimin e dëmeve që sjellin rrëshqitjet mbi banesa dhe rrugë, por jo në zgjidhjen e problemit që i ka vënë në një bashkëjetesë të frikshme kodrën dhe njerëzit. Ka të paktën 5 vjet që pas çdo rrebeshi shiu, pjesë të kodrës bien të shkërmoqura nga shpatet e ngrëna mbi shtëpi dhe lokale. Pavarësisht deklarimeve në këto vite të pushtetarëve lokalë dhe qendrorë, si dhe të specialistëve për ndërhyrjen që kërkon shmangia e erozionit asgjë nuk është bërë. Përveç kushteve atmosferike, veprimtaria njerëzore e ka përshpejtuar me ritme të frikshme këtë dukuri që kërcënon dhe i ka lënë banorët e zonës kodrinore me sytë nga qielli dhe pre të lutjeve për sa më pak shi në Durrës. Janë lodhur dhe me gazetarët e nuk kanë më as besim se publikimi i problemit të tyre do të marrë ndonjëherë zgjidhje. Në Bashkinë e Durrësit, nënkryetari i saj Adrian çela, përmes zëdhënësit, tha për gazetën “Shqip” se në buxhetin e këtij viti është akorduar një fond prej 3 milionë lekësh të reja për hartimin e studimit mbi rehabilitimin e plotë të kodrës së Durrësit. Miratimi me vonesë i buxhetit për këtë vit ka krijuar probleme dhe në nisjen e procedurave për lëvrimin e fondit, që mesa duket do të dojë ende kohë të marrë rrugën e hartimit të studimit e më pas një tjetër fond, shumë herë më i madh, të zbatohet. Ndërkohë që buxheti i bashkisë për vitin 2010 nuk ka mbërritur ende tek institucioni i prefektit të qarkut. I pyetur për këtë çështje, prefekti Genci Alizoti shprehet i bindur se situata është e vështirë dhe ndërhyrja duhet të nisë sa më shpejt. Po në mes janë procedurat që duhen respektuar dhe në këtë situatë, e vetmja rrugë duket ajo e ndërhyrjes pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike për përshpejtimin e procedurave të tenderimit për këtë studim. Ndërhyrje që përfaqësuesi i qeverisë në Qarkun e Durrësit e merr përsipër. Megjithatë ky proces do të kërkojë disa muaj dhe as këtë vit nuk ka shpresë që të nisë projekti për rehabilitimin e kodrës, ndërsa 274 objektet e ndërtuara në të do të vazhdojnë të bashkëjetojnë me rrezikun e rrëshqitjes së dherave dhe vërshimin e tyre mbi të. Situata sa vjen e bëhet më dramatike, veçanërisht për familjarët që janë të detyruar të jetojnë me frikën e kodrës që gërryen veten pas çdo shiu, duke nxjerrë deri dhe themelet e disa banesave në të.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›