E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, pensionet për 109 përfituesit e rinj

18/07/2011  ISSH detajon pensionet e parakohshme dhe përfitimet suplementare të pleqërisë

Organet e sigurimeve shoqërore kanë detajuar gjatë ditës së djeshme emrat e rinj përfitues të skemës së pensioneve për ish-ushtarakët. Konkretisht janë zbardhur emrat e 109 përfituesve të rinj, të cilëve u është caktuar masa e pensionit gjatë javës që lamë pas. Tashmë procesi i llogaritjes ka shkuar drejt fundit për përfitimet e parakohshme, çka u ka hapur udhë llogaritjeve për llojet e tjera të pensioneve, të cilat do të rillogariten sipas përcaktimeve ligjore mbi këtë trajtim. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të plotë listën e përfitimeve të reja të lidhura gjatë javës që lamë pas, duke i klasifikuar sipas llojit të përfitimit si pensione të parakohshme apo përfitime suplementare të pleqërisë. Ekspertët e sigurimeve pohojnë se llogaritja e pensioneve do të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme, çka do të thotë se menjëherë sapo ministritë e linjës apo strukturat e komandove (që i vijnë në ndihmë Ministrisë së Brendshme) të sjellin dokumentacionin me të dhënat e kërkuara për çdo aplikues në Institutin e Sigurimeve Shoqërore bëhet edhe caktimi i masës konkrete që përfiton aplikuese. Në kërkesat e dërguar ministrive sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim. Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe nga SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave. Vetëm pas marrjes së formularëve të plotësuar sigurimet mund të bëjnë llogaritjen e masave të pensionit që do të jepet për secilën kategori. Në total pritet të llogariten pensionet për më shumë se 22 mijë ish-ushtarakë. Për rastet kur përfituesit që u është caktuar masa e pensionit mbeten të pakënaqur me masën e caktuar ekziston edhe mundësia e ankimimit pranë ISSH-së, duke dorëzuar kërkesën përkatëse. Në rast se edhe verifikimi i dytë do të mbetet në të njëjtën masë të deklaruar më parë, atëherë aplikuesi mund t’i drejtohet organeve gjyqësore për një tjetër verdikt mbi masën e pensionit që i takon sipas ligjit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›