E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtet në fabrika, punonjësit probleme me mushkëritë e helmet në gjak

18/07/2011  Sëmundjet profesionale, çdo ndërmarrje duhet të punësojë edhe një mjek

Sëmundjet profesionale po bëhen gjithnjë e më shqetësuese për popullatën tonë. Gjatë viteve të fundit është vënë re një rritje e numrit të ndërmarrjeve apo fabrikave që ushtojnë aktivitete të ndryshme prodhuese, e cila është shoqëruar edhe me shtimin e të punësuarve në to. Por fatkeqësisht kushtet e punës pranë tyre nuk janë në nivelet e duhura, çka ka bërë që të shtohen edhe komplikacionet shëndetësore te punonjësit, ose siç klasifikohen ndryshe sëmundje profesionale. Lidhur me këtë situatë kreu i këtij shërbimi mjekësor Skënder Skënderi ka deklaruar se ndër sëmundjet më problematike mbeten ato të mushkërive, duke përfshirë edhe helmet në gjak, të cilat më pas dëmtojnë organet e tjera. Këto të fundit shkaktohen si pasojë e ndotjes së ambientit ku punohet, ndërkohë që masat mbrojtëse që ndërmarrja duhet të sigurojë ndaj punonjësit janë në nivele tepër të ulëta. “Në krye të sëmundjeve profesionale janë dy grupe. Grupi i sëmundjeve të mushkërive, që shkaktohen nga avujt, gazet dhe pluhurat dhe helmimet profesionale. Prekja e gjakut është nga më kryesoret. Këto sëmundje kanë tendenca në rritje, sepse marrja e masave ndaj ndotjes nuk është si duhet. Shpeshherë i shpëton edhe kontrollit të organeve të shëndetësisë”, - ka pohuar Skënderi. Kundrejt kësaj situate shqetësuese Skënderi ka pohuar se tashmë kanë nisur punimet për hartimin e kuadrit të duhur ligjor, nëpërmjet të cilit do të sanksionohet edhe detyrimi që të gjitha bizneset do të duhet të kenë një mjek ekspert për të mbikëqyre ecurinë e punonjësve. Ky shqetësim është konfirmuar edhe nga drejtuesit e autoritet rajonal shëndetësor, ku nga kontrollet e kryera në gjashtë muaj e parë të vitit në më shumë se 200 fabrika ka rezultuar se pjesa dërrmuese e tyre nuk plotësojnë parametrat e duhur, ku vishje re jo vetëm mungesa e mjekut, por edhe sistemi jo në funksion të plotë i ajrimit të ambientit ku punohet. “Ndër problematikat kryesore që janë hasur nga inspektorati në këto ndërmarrje ka qenë problemet në lidhje me shërbimin shëndetësor, si mungesa e mjekut, e kutisë së ndihmës së shpejtë, e cila duhet të jetë e pranishme në të gjitha këto ndërmarrje, ndërsa në lidhje me kushtet higjienosanitare ka pasur probleme në lidhje me sistemin e ajrimit, masat mbrojtëse që duhet të merren ndaj punonjësve” - ka pohuar drejtoresha e ASHR-së Liljana Ramasaco. Po ashtu sipas saj problematik shfaqet edhe rasti ku inspektorët pengohen nga drejtuesit e bizneseve që të kryejnë kontrollet pranë subjekteve përkatëse. Gjithashtu pohohet se ka edhe shumë struktura të cilat ushtrojnë aktivitet pa kaluar më parë nëpërmjet marrjes së lejes nga higjiena për të ushtruar aktivitetin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›