Ministria e Jashtme: Sa duhet të paguajnë emigrantët për shërbimet konsullore
Laureta Rryçi
Ministria e Jashtme zbardh tarifat për shërbimet konsullore dhe taksat që duhet të paguhen nga emigrantët. Gazeta “Albania” publikon në numrin e sotëm këto tarifa dhe taksa që duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë për të përfituar shërbime të ndryshme. Po kështu, mësojmë se shërbimet e ndryshme konsullore do të kenë tarifa të reja për të gjithë emigrantët që duan të jetojnë me dokumente të rregullta në shtetin ku punojnë. Udhëzimi më i fundit i dalë nga Ministria e Jashtme përcakton që për certifikatë të çdo lloji, lëshuar nga përfaqësitë tona për shtetasit shqiptarë, do të paguhen 30 euro. Për vërtetime të çdo lloji, lëshuar nga përfaqësitë tona për shtetasit shqiptarë, do të paguhet shuma po prej 30 eurosh.
Tarifat
Në rastet kur emigrantët duan vetëm të verifikojnë dokumentin nëpërmjet përfaqësisë sonë, do të paguajnë 10 euro. Për legalizimin e dokumentit nga përfaqësitë tona, emigrantët tanë do të paguajnë 20 euro. Ndërsa për legalizimin e dokumentit nga Ministria e Jashtme shtetasit shqiptarë do të paguajnë 200 lekë. Po kështu kanë ndryshuar edhe tarifat për shërbimet, si përkthimi apo noterizimi për të gjithë emigrantët që duan t’i kryejnë këto shërbime në përfaqësitë tona. Nëse emigrantëve u duhet të përpilojnë një deklaratë, autorizim, testament, kontratë, garanci apo edhe prokurë të posaçme, për ta marrë këtë dokument në përfaqësitë tona do të paguajnë nga 20 euro për faqe. Për vërtetimin e dublikatave dhe të kopjeve do të paguajnë po 20 euro për faqe. Ndërsa për përkthimin e dokumenteve do të paguajnë 10 euro për çdo faqe.
Rregullat
Si rregull, dokumentet e huaja, të lëshuara për t’u paraqitur pranë organeve shqiptare, duhet të legalizohen paraprakisht nga ambasadat tona. Në funksion të marrëveshjeve ku aderon Shqipëria dhe reciprocitetit, mund të lejohet legalizimi i drejtpërdrejtë i dokumenteve, ose legalizimi i tyre vetëm pasi ato të jenë legalizuar më parë nga Ministria e Jashtme e vendit pritës. Për disa procedura të caktuara, si për shembull ato të lënies së shtetësisë, është e nevojshme që edhe përkthimet e dokumenteve të legalizohen ose të noterizohen. Ambasadat në këto raste bëjnë legalizimin e përkthimeve, të kryera nga përkthyes të licencuar, ose të njohur në vendin pritës. Nuk legalizohen dhe nuk pranohen përkthime të personave të tjerë fizikë apo juridikë.
Procedura
Udhëzimi më i fundit i ministrit të Jashtëm ka përcaktuar që për shërbimet që kryhen nga përfaqësitë tona diplomatike në vende të tjera, niveli i tarifës do të përcaktohet në euro dhe pagesa mund të bëhet në euro, dollarë ose në monedhën e vendit ku kryhet shërbimi, konvertuar me kursin përkatës ditor të këmbimit. Tarifat e arkëtuara brenda vendit do të derdhen brenda ditës në Degën e Thesarit për llogari të Ministrisë së Punës së Jashtme dhe të Ministrisë së Brendshme. Përfaqësitë tona diplomatike do të raportojnë çdo muaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme mbi tarifat e arkëtuara.
Taksat për shtetasit e huaj që vizitojnë Shqipërinë
Për shtetasit e huaj, që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me grupe turistike, nëpërmjet shoqërive turistike, taksa e vizës është sipas parimit të reciprocitetit, por jo më shumë se 1 euro për ata që hyjnë nëpërmjet pikave tokësore dhe ujore të kalimit kufitar dhe jo më shumë se 10 euro për ata që hyjnë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar ajror.
Për shtetasit e huaj, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, taksa e hyrjes është sipas parimit të reciprocitetit, por jo më shumë se 1 euro për ata që hyjnë nëpërmjet pikave tokësore dhe ujore të kalimit kufitar dhe jo më shumë se 10 euro për ata që hyjnë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar ajror.
Për shtetasit e huaj, që nuk kanë nevojë për vizë, që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me grupe turistike, taksa e hyrjes është sipas parimit të reciprocitetit, por jo më shumë se 1 euro për ata që hyjnë nëpërmjet pikave tokësore dhe ujore të kalimit kufitar dhe jo më shumë se 10 euro për ata që hyjnë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar ajror.
Turistët individualë njëditorë dhe ata të organizuar në grupe turistike njëditore nuk paguajnë taksë vize ose taksë hyrjeje.
Taksat për lëshimin e vizave dhe dokumenteve të udhëtimit
Për lëshimin e pasaportave të udhëtimit 2000 lekë
Për lëshimin e pasaportave të udhëtimit nga përfaqësitë 50 euro
Zgjatja e pasaportës nga përfaqësitë 15 euro
Për leje kalimi 200 lekë
Leje kalimi lëshuar nga përfaqësitë 30 euro
Taksa e vizës për shtetasit e huaj Reciprocitet
Taksat për lëshimin, verifikimin dhe legalizimin e dokumenteve
Certifikatë të çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit
shqiptarë 30 euro
Certifikatë të çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit
e huaj Reciprocitet
Vërtetime të çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit
shqiptarë 30 euro
Vërtetime të çdo lloji lëshuar nga përfaqësitë për shtetasit
e huaj Reciprocitet
Verifikimi i dokumentit nga përfaqësitë 10 euro
Legalizimi i dokumentit për shtetasit shqiptarë nga Ministria e Punëve të Jashtme 200 lekë
Legalizimi i dokumentit nga përfaqësitë për shtetasit
shqiptarë 20 euro
Legalizimi i dokumentit për shtetasit e huaj Reciprocitet
Taksat për lëshimin e përpilimin e akteve të tjera noteriale dhe përkthimin e dokumenteve nga përfaqësitë
Përpilimi i deklaratave, autorizimeve, testamenteve
kontratave, garancive dhe prokurave të posaçme nga
përfaqësitë 20 euro/ faqe
Vërtetimi i dublikatave dhe kopjeve 20 euro/ faqe
Përkthimi i dokumenteve 10 euro/ faqe
Shënim: Me termin ”përfaqësi” kuptohet përfaqësia diplomatike ose konsullore jashtë shtetit.
Taksa mund të arkëtohet edhe në dollarë ose në monedhën e vendit, duke pasur parasysh kursin e këmbimit.
Prokura
Legalizimi i prokurave të përpiluara nga autoritetet e huaja:
Prokurat e përpiluara nga autoritetet e huaja (noterët publikë) para se të dërgohen nga i interesuari në Shqipëri, legalizohen paraprakisht nga përfaqësia shqiptare e akredituar në vendin përkatës.
Në vendet ku Shqipëria nuk ka përfaqësi të akredituar, prokura, pasi të jetë legalizuar nga Ministria e Jashtme e vendit, legalizohet nga Drejtoria Konsullore, posti i legalizimit, me kushtin që në këtë post të jenë të depozituara më parë specimenet e firmave dhe vulave të Ministrisë së Jashtme të vendit të huaj.
Nënshkrimi në kuadrat
Për prokurat e përpiluara në përfaqësi nëpunësit konsullorë parashikojnë një kuadrat me përmasat e kuadratit rozë, ku porositësit të shënojnë me dorë lirshëm emrin dhe mbiemrin e tyre.
Për prokurat e hartuara nga autoritetet e huaja porositësit bëjnë kujdes që kuadrati të jetë përfshirë në prokurë.
Për të miturit prokura përpilohet me porosinë e të dy prindërve.
Prokura është individuale për çdo shtetas dhe paraqitet në komisariatin përkatës në Shqipëri nga vetë personi i porositur. Ajo nuk shoqërohet me formular të tipit 2 të plotësuar. Përfaqësitë nuk mbajnë përgjegjësi për ecurinë e aplikimit me prokurë.
8 Gusht 2009