E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Kashar, Prokuroria do të marrë në pyetje 20 persona



Luan Kondi

TIRANË - Mbi 20 persona do të merren në pyetje nga grupi hetimor, i ngritur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur tetorin e vitit të kaluar në komunën e Kasharit, ku shtetasi Gani Kamberi u gjet i vdekur me një plumb në pjesën e prapme të kokës.
Hetimi
Burime nga kjo prokurori pohuan të premten për gazetën “Albania” se grupi hetimor ka përgatitur listën me emrat e personave që do të merren në pyetje, të cilët mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Sipas këtyre burimeve, në këtë listë gjenden edhe emrat e atyre individëve me të cilët viktima mendohet se ka pasur konflikte për çështje pronësie. Prokuroria e Tiranës ka ngritur së fundi hipotezën se shtetasi Gani Kamberi, 50 vjeç, është vrarë, përkundër asaj të ngritur në fillim se Kamberi i kishte dhënë fund jetës. Hetimet mbi një vrasje të mundshme morën shkas nga pretendimi i familjarëve të Gani Kamberit, të cilët hodhën poshtë versionin për një vetëvrasje të tij.
Ngjarja
Trupi i pajetë i 50-vjeçarit Kamberi u gjet tetorin e vitit 2007 buzë një përroi në komunën e Kasharit, pak kilometra larg Tiranës. Sipas të dhënave hetimore, viktima kishte marrë një plumb në pjesën e prapme të kokës. Në vendin e ngjarjes hetuesit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë, por pa mundur të gjejnë gëzhojën. Nga ana tjetër, të afërm të viktimës pretendojnë se ditën e ngjarjes kishin dëgjuar dy të shtëna armësh. Kufoma e Gani Kamberit u zhvarros ditët e fundit për t’iu nënshtruar edhe njëherë ekzaminimeve nga ana e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Kjo u realizua pas denoncimit të gruas se mund të jetë vrarë. Policia e kishte mbyllur dosjen e të ndjerit duke e klasifikuar atë si vetëvrasje. Sipas dëshmisë së bashkëshortes, ditët e fundit Ganiu kishte zbuluar se jo vetëm se 16 dynymët i ishin mbivendosur, por toka e shtëpisë ku jetonin ishte shitur e rishitur deri pesë herë. “Burri im për pronën kishte shumë probleme. Edhe shtëpia ku banojmë ishte e shitur. Ishte mbivendosur emri i tyre. Kjo është tokë e trashëguar. Ai e zbuloi që ishte bërë shkelje 5 muaj më parë dhe për këtë arsye shtetasi Xhevahir Hyka ka rrahur burrin tim”, - është shprehur pak ditë më parë e shoqja e viktimës, Valbona Kamberi. Pak para se të vdiste 50-vjeçari e kishte denoncuar çështjen e tokave të tij në Prokurorinë e Tiranës.

17 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›