Shtyhet seanca e parë për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha
TIRANË – Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë dje seancën e parë gjyqësore në ngarkim të katër ish-punonjësve të SHIK-ut, të cilët dyshohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin ’95, ndërkohë që seanca e radhës për këtë çështje do të zhvillohet më 30 maj. Të pandehur për këtë çështje janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Seanca u shty për shkak të mungesës së këtyre dy të fundit. Budjon Meçe ndodhet në spital, për shkak të një sëmundjeje, ndërsa Ilir Kumbaro është në kërkim ndërkombëtar. Në seancën e sotme, Budjon Meçe përfaqësohej nga avokati, Artan Kodheli, por sipas procedurës së gjykatës, ai duhet të njoftohet për fillimin e seancës. E njëjta procedurë duhet të ndiqet edhe për Kumbaron, edhe pse ai është në kërkim ndërkombëtar. Në këto kushte kërkesa për gjykim ndaj katër të pandehurve nuk u arrit të lexohej nga kryetari i trupit gjykues, që drejtohej nga Xhelal Elezi. Prokuror i kësaj çështjeje është Xhevat Hana. Në 4 maj Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mungesë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të pandehurit Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, të cilët dyshohet se janë implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Katër ditë pas kësaj Gjykata e Krimeve të Rënda i komunikoi Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit këtë masë sigurie, ndërsa mungonte sërish Budjon Meçe. Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Tatimeve, e cilësoi të padrejtë vendimin e prokurorit, pasi, sipas tij, “pretendimet e tij (prokurorit) janë të pavërteta”. Të padrejtë masën ndaj Sefgjinit e cilësoi dhe avokati i tij, Zef Nika, i cili në fjalën e tij nënvizoi se “ka pasur shkelje procedurale”. Ndërsa i pandehuri Avni Koldashi tha se “gjithçka që kam ditur lidhur me zhdukjen e Remzi Hoxhës më 21 tetor të vitit 1995, e kam thënë edhe më parë në organet e Drejtësisë. Akuza e ngritur ndaj meje është me prapavijë politike”, - tha Koldashi.
17 Maj 2008