E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, skema për të përfituar pension të parakohshëm

Specialistët përllogarisin moshën dhe vitet e shërbimit. Përcaktohet masa që do të përfitohet sipas kategorive

Laureta Rryçi

Tiranë - Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë apo në lirim, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, përfitojnë pension të parakohshëm. Për të përfituar këtë lloj pensioni bëhet llogaritja për vjetërsi shërbimi në rastet kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarakë në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeçe femrat dhe 47 vjeç meshkujt. Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 për qind e pagës referuese. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese. Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se katërfishi i pensionit bazë, sipas përcaktimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv. Periudha, për të cilën ushtaraku përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë pleqërie, sipas pikës 2 të nenit 58 të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Kontributi për këto kategori përballohet nga buxheti i shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese, mbi të cilën është llogaritur pensioni i parakohshëm, por, në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar me koeficientet e indeksimit të pensioneve.
Rregullat
Periudha 1.7.1992 deri 31.12.1998 për ushtarakët e dalë në reformë njihet periudhë sigurimi për efekt të pensionit të plotë të pleqërisë. Kontributet për këtë periudhë derdhen nga buxheti i shtetit në bazë të pagës referuese nga çasti që ka lindur kjo e drejtë. Për ushtarakët, të cilëve u ka lindur e drejta e përfitimit të pensionit të parakohshëm para datës së hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, niveli i masës së përfitimit të llogaritur vendoset në kufijtë e parashikuar në këtë nen.
Pensioni suplementar
Sipas ligjit, ushtaraku i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kur ka plotësuar kushtet për pension të plotë pleqërie, përfiton pension suplementar pleqërie, si ushtarak.
Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, kur ushtaraku ka vjetërsi shërbimi 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt.
Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit suplementar të pleqërisë shtohet me 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë. Pensioni suplementar, në çdo rast, nuk duhet të jetë më i madh se 60 për qind të pensionit të pleqërisë. Ushtaraku që ka vjetërsi shërbimi më pak sesa përcakton ky nen përfiton pension suplementar në masën 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, për çdo vit shërbimi në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Box
Kushtet e përfitimit
Personat, që janë në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv, në rezervë ose lirim, që vdes apo ka vdekur, dhe që përfitojnë pension familjar marrin pension suplementar familjar. Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar llogaritet në 50 për qind për bashkëshortin/en e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind dhe pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim, me kufi maksimal shumën e plotë deri në 100 për qind të pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte të ndjerit, sipas këtij ligji. Pjesëtarët e familjes në ngarkim të ushtarakut, i cili për shkak të detyrës apo gjatë saj humbet jetën dhe që përfitojnë pension familjar, përfitojnë pension suplementar familjar.

Masa e përfitimit të pagesës suplementare në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim

Masa e pagesës në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim është e barabartë me masën e trefishit të pensionit bazë mujor, në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe jepet nga Ministria e Mbrojtjes për ushtarakun që trajtohej me pagesë kalimtare ose nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për ushtarakun që trajtohej me pension të parakohshëm.

Në rastet e nxjerrjes në rezervë, lirim a pension, përfitojnë nga sigurimet shoqërore suplementare për ushtarakët personat si vijon :

Oficerët dhe nënoficerët e Forcave të Armatosura, të Ministrisë së Rendit Publik, të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe të strukturave të ish-Ministrisë së Brendshme.

Policët

Ushtarët rrogëtarë

Familjarët në ngarkim të personave të kategorive të mësipërme, të cilët kanë humbur jetën.

Periudhat e vlefshme për përfitim

Koha e shërbimit të përhershëm të ushtarakut oficer, nënoficer, polic, ushtar rrogëtar.

Koha e shërbimit në të cilën ushtarakët aktivë kanë marrë pjesë apo kanë ushtruar detyrat, funksionet a profesionet e treguara në listën bashkëlidhur këtij vendimi. Kjo kohë shërbimi, për efekt të llogaritjes së pensionit suplementar të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar, njihet dhe llogaritet në masën 1.5 fish.

Vjetërsia në punë dhe në shërbim

Njihet si vjetërsi në punë e ushtarakut të Forcave të Armatosura, për efekt pensioni, periudha nga data e hyrjes në shërbim të Forcave të Armatosura, si ushtar me pagesë/profesionist, kursant (nënoficer) dhe student në shkollat e larta ushtarake, brenda dhe jashtë vendit. Kontributet për sigurimet shoqërore, për këtë periudhë, përballohen nga Buxheti i Shtetit.

Vjetërsia e shërbimit si ushtarak aktiv, për efekt të pagës dhe përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, llogaritet nga data e titullimit oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Koha e kryerjes së studimeve, pas përfundimit të shkollës së lartë ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, llogaritet si vjetërsi në punë dhe vjetërsi shërbimi si ushtarak aktiv dhe si kohë qëndrimi në gradë.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›