E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuruesit pa pagesë, shifrat mbeten të ulëta

Shifrat e dhuruesve të gjakut në vendin tonë janë ende të ulëta, ndërkohë që mbetet ende shumë punë për të arritur nivelet e nevojshme. "Sensibilizim mbarëqytetar për dhurimin vullnetar të gjakut për të gjithë ata që kanë nevojë", kjo moto është në qendër të veprimtarisë sensibilizuese në çeljen e selisë së parë të organizatës shqiptare të dhuruesve vullnetarë të gjakut. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, kjo shoqatë synon nxitjen e dhurimit vullnetar anonim pa pagesë, si akt i solidaritetit human. "Sfida për të pasur një gjak të sigurt dhe në sasinë e domosdoshme, është një nga sfidat themelore të mjekësisë shqiptare. Gjak i sigurt është vetëm gjaku i dhuruar nga vullnetarët. Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë të gjitha iniciativat dhe të gjitha vullnetet që do të shprehen në këtë fushë", tha dje gjatë takimit ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Organizata e dhuruesve vullnetarë të gjakut ka nisur aktivitetin e saj në Shqipëri në shtator të vitit 2005. Ajo e bazon aktivitetin e saj institucional dhe anëtarësues në pjesëmarrjen shoqërore në mënyrë vullnetare. Gjatë çeljes së zyrës së parë të kësaj shoqate u shpërndanë edhe certifikata për 30 pjesëmarrës të kursit gati 1-mujor për promovuese të dhurimit vullnetar të gjakut.

Siguria e gjakut përbën një nga pikat më të ndjeshme të shërbimit shëndetësor në vendin tonë, sepse sasia e gjakut të mbledhur nuk arrin të plotësojë, si dhe sa duhet kërkesat e spitaleve dhe nevojat e pacientëve. Në vendin tonë, prej shumë vitesh po punohet për ndryshimin e sistemit të dhurimit të gjakut, duke kaluar nga sistemi tradicional i dhurimit të rregullt me pagesë, në sistemin e dhurimit të rregullt pa pagesë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›