E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Isha më mirë në qelinë time"

Tashmë mund të thuash se
Natascha Kampusch, biondja
simpatike që 3 vjet më parë zuri
për shumë kohë faqet e para
të gazetave në të gjithë botë, i është
kthyer jetës normale, por në fakt nuk
është plotësisht kështu. Ajo u rrëmbye
ndërsa po kthehej një ditë nga shkolla
dhe që nga ajo ditë jeta e saj ndryshoi
përfundimisht. Ende sot vazhdon të
jetë e zotëruar nga hijet e së shkuarës
dhe frikërat, si dhe nga mundimi për të
krijuar një marrëdhënie të re me lirinë
dhe jetën personale. Pikërisht 3 vjet më
parë ajo arriti që t‘i ikte grabitësit të saj,
Wolgang Priklopil, i cili në ato momente
po merrej me pastrimin e makinës. Natascha
ishte 21 vjeçe dhe sot deklaron se
ishte ndjerë gjatë gjithë këtyre kohëve e
keqkuptuar dhe njeri pa njeri. "Shpesh
vuaj nga krizat e anktheve dhe jam
shndërruar në një vetmitare", i ka rrëfyer
një gazete të përditshme austriake. Kampusch
jeton në një apartament të vogël
në Vjenë dhe thotë se në njëfarë mënyre
i është rikthyer jetës që bënte kur ishte
"peng". Pjesën më të madhe të kohës
e kalon në shtëpi, sepse i ka ardhur në
majë të hundës nga sharjet, ofendimet,
apo dhe vëmendja e tepruar që të tjerët
tregojnë ndaj saj kur del jashtë shtëpisë.
Shpesh i kërkojnë autografe, ndërsa
fotografët e ndjekin hap pas hapi. Ka
njerëz që i thonë të kthehet në qilarin ku
jetoi për 8 vjet, të tjerë që e akuzojnë se
e ka shndërruar fatkeqësinë e saj në një
biznes që i sjell fi time të mëdha. Në fakt,
që kur ajo doli nga "vrima" e grabitësit të
saj, ka dhënë intervista me para dhe ka
kontribuar në shkrimin e një libri për të.
Një pjesë të madhe të parave e ka dhënë
për bamirësi. "Më duhet vazhdimisht që
të mbroj veten, por nuk mund të tjetërsohem.
Unë jam kjo që jam dhe dua të jetoj
e të pranohem si e tillë, thotë 24-vjeçarja.
Dëshpërimi i saj për atë çka po i ndodh
jashtë është aq i madh sa, siç thotë edhe
vetë, shpesh e merr malli për qetësinë
dhe sigurinë që ndjente në qilarin e saj.
"Në qilar isha vetvetja dhe nuk ndihesha
e sulmuar për atë çka isha, ndërsa tani
jashtë ndiej që po më humbet aftësia për
të qenë vetvetja".
Në qetësinë dhe sigurinë e apartamentit
të saj, që nuk ndodhet larg vendit
ku e grabitën më 2 mars të vitit 1998, për
ta futur më pas në një makinë dhe për
ta mbyllur për 8 vjet, vajza e re e kalon
kohën duke parë televizor, duke pikturuar
apo duke bërë foto. Pas lirimit ajo u
dashurua shumë me aparatin fotografi k
dhe që nga ajo kohë i pëlqen vazhdimisht
që të fi ksojë pamje të ndryshme me të.
Është vegjetariane dhe nuk pi duhan
apo alkool. Kampusch i ka ndërprerë
të gjitha lidhjet me të atin, Ludwig, dhe
thuhet se ka një marrëdhënie jo të mirë
edhe me të ëmën, Brixhidën. Kjo, sepse
në një libër të botuar për të bijën në
vitin 2007, ajo rrëfeu se e bija kishte
shkuar për t‘i dhënë lamtumirën e fundit
pengmbajtësit të saj, para varrimit. Ai,
kur mori vesh se vajza që mbante në
qilar ishte arratisur, u hodh në shinat e
trenit. Jeta e Natascha-s sot është shumë
larg nga ajo e ditëve të para në liri. Në
ato ditë ajo u shndërrua në një VIP dhe
të gjithë donin ta intervistonin dhe ta
kishin në programet e tyre televizivë.
Fytyra e saj me sytë blu e fl okët biondë
u bë më e njohura në të gjithë Austrinë,
por edhe më gjerë. Dy javë pas lirimit ajo
dha intervistën e saj të parë e veshur me
lejla dhe me sytë mbyllur. Më pas nisi të
prezantonte një show të vetin, në të cilin
intervistonte njerëz të famshëm, siç ishte
edhe piloti i Formulës 1, Niki Lauda. Më
pas, në Festivalin e Salzburgut u vu re
nën shoqërinë e një princi austriak dhe
u fotografua në disko duke u puthur
me djalin e avokatit të saj. Por befas,
pas gjithë këtij shpërthimi dhe jete me
pasanikët dhe njerëzit e famshëm, ajo
u tërhoq në vetvete, duke kaluar pjesën
më të madhe të kohës në apartamentin e
saj. Rasti i Joseph Fritzl, babait që kishte
përdhunuar të bijën dhe kishte sjellë në
jetë 5 fëmijë me të, që ishte gjithashtu
austriak, ishte i ngjashëm me 8 vitet e
jetës së saj kaluar në errësirë. Historia
e këtij njeriu-monstër duket se ia rihapi
vajzës plagët ende të pambyllura mirë
dhe e rifuti në një gjendje depresive.
"Befas, gjithë forca dhe gëzimi im për të
jetuar u shndërruan në hiç. Nuk mund të
bëja më asgjë. U bllokova. U shndërrova
nga një princeshë, në një shtrigë". Ajo i
dhuroi fatkeqes që qëndroi e mbyllur me
të atin 25 mijë euro, por edhe kur bëri
një akt të tillë, njerëzit e konsideruan
sikur gjithçka e bënte për të mbetur në
qendër të vëmendjes, mbi të gjitha në
faqet e para të gazetave. Ofendimi i saj
arriti kulmin nga ngritja e një komisioni
të posaçëm qeveritar, detyra e të cilit
ishte të analizonte dhe hetonte misteret
e shumta që rrethonin rastin e grabitjes
së saj. Një prokuror i posaçëm që drejton
hetimet deklaron se vajza di shumë më
tepër në lidhje me vitet e saj në robëri,
nga sa lë të kuptohet. Ai kërkon që të zbulojë
se përse vajza nuk është marrë kurrë
seriozisht në pyetje dhe nëse grabitësi
i saj ishte pjesë e një rrjeti pedofi lësh,
apo vepronte i vetëm. Vajza, ndërkohë,
ka thënë gjatë gjithë kohës se kontakti
i saj i vetëm ishte me grabitësin dhe se
ajo për 8 vjet nuk kishte takuar askënd.
Ka shumë të ngjarë që ajo të merret sërish
në pyetje gjatë muajve të ardhshëm,
ndërkohë që jeta e saj rrezikohet nëse
në këtë histori janë përfshirë edhe emra
e njerëz të tjerë. Natascha ka folur gjithmonë
shumë pak për grabitjen dhe vitet
e gjata në qilar, por psikologët janë të
mendimit se ajo vazhdon që të ndihet e
lidhur me qilarin dhe me jetën që bënte
atëherë. Madje tani ajo është ligjërisht
pronarja e qilarit. Fqinjët thonë se ajo
shkon shpesh gjatë fundjavave në këtë
vend dhe pastron vendin rrotull, apo
bën riparime të ndryshme. "Është pjesë
e identitetit tim, që edhe po të dua, nuk
mund as ta harroj, as ta mohoj", thotë
24-vjeçarja. Pavarësisht faktit se jeta e
saj tani ngjan me një tjetër "grabitje", ajo
shpreson që një ditë të mundet të ketë
një realitet më normal.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›