E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët rrezikojnë studimet jashtë vendit

30/07/2010 Nuk kanë marrë notat e lëndëve me zgjedhje, u skadojnë afatet për aplikim

ELBASAN- Dy gjimnaze të Elbasanit dhe një shkollë private nuk kanë marrë ende përfundimet e provimeve të lëndëve me zgjedhje kur mbeten edhe pak ditë për dorëzimin e formularit A2. Problemin më të madh po e kalojnë maturantët që kanë aplikuar jashtë vendit për studime.

Shqetësimi

Mungesa e notës me zgjedhje ka vënë seriozisht në rrezik fitimin e të drejtës së studimit për shkak të skadencës së afatit për dorëzimin e dokumenteve në ambasadë. Shpëtim Sulonjaku, drejtori i shkollës “Dhaskal Todri”, një prej gjimnazeve të penalizuara që nuk kanë marrë ende përgjigjet, thotë se maturantëve që kanë aplikuar në universitetet jashtë vendit u është dhënë një vërtetim për të justifikuar mungesën e notave. “Ne si shkollë kemi bërë të pamundurën që këto maturantë të mos rrezikojnë shkollat. Ata që kanë aplikuar për jashtë vendit u kemi dhënë vërtetim që ta përkthejë e noterizojnë për të justifikuar mungesën e dy notave përfundimtare të Maturës Shtetërore. Gjithashtu jemi çdo ditë në shkollë në pritje të këtyre rezultateve. Gjithashtu do të jemi edhe të shtunë e të diel duke respektuar edhe datat e vendosura që të gjithë maturantët të kenë mundësi që të plotësojnë formularin A2, kur të kenë edhe dy notat e provimeve me zgjedhje. Deri tani asnjë gjimnazist nuk i ka plotësuar pa mbërritur notat përfundimtare”. Ndërkohë vetë maturantët thonë se janë mjaft në vështirësi dhe kjo pritje duket e pafund. Ata thonë se ministria duhet t’i kishte sqaruar qysh në fillim. Çdo ditë maturantët mbërrijnë në dyert e shkollës dhe kërkojnë ndonjë informacion për përgjigjet. Ka nga ata që kanë aplikuar për jashtë vendit. A. K ka aplikuar për Shkenca Politike në Firence dhe i është dashur të përkthejë dhe noterizojë një justifikim të shkollës për mungesën e notave. Ai thotë se është i pasigurt nëse ambasada do e marrë parasysh këtë gjë, por ishte e vetmja mundësi pasi prej dy javësh përgjigjet mungojnë për shkollat e tyre. E njëjta situatë haset në gjimnazin “Ahmet Dakli” dhe në një shkollë private. Prindër e mësues thonë se nuk dinë asnjë gjë mbi këtë vonesë që po zgjatet mjaft dhe që po rrezikon shkollën e fëmijëve të tyre. Gjimnazi “Dhaskal Todri” numëron 205 maturantë, ndërsa “Ahmet Dakli” 180. Gjithashtu janë rreth 30 maturantë të një gjimnazi privat në qytet. Maturantët kanë kohë deri më 2 gusht për të dorëzuar të plotësuar formularët A2 që i japin atyre të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›