Ishinger: “Kosova, kusht për Serbinë në BE”
Autori i Lajmit: Redaksia
Londër - Ish i dërguari i BE së për statusin e Kosovës, ambasadori gjerman Volfgang Ishinger, thotë se ka shumë gjasa që brenda këtij viti, Serbisë ti bëhet e qartë se anëtarësimi i saj në BE është i kushtëzuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kosovën. Në një intervistë për BBC-në, Ishinger theksoi se autoritetet serbe janë të njohura me këtë kushtëzim, duke nënvizuar se ka një pranim të përgjithshëm për zgjidhjen e problemit të Kosovës në procesin e avancimit të bisedimeve për anëtarësim të Serbisë. Megjithatë, Ishinger tha se pret që në një të ardhme të afërt Prishtina e Beogradi të fillojnë diskutimet për gjetjen e një rruge, siç e quajti, praktike për një bashkëjetesë pa ngritur çështjet fondamentale. “Unë jam shumë optimist për këtë. Unë nuk habitem se ende nuk janë ndërmarrë brenda këtyre dy viteve hapat e mëdhenj për të tejkaluar dallimet e mbetura. Është e qartë se po pritet që të merret një vendim i Gjykatës në Hagë, me shumë shpresë në fillim të këtij viti dhe unë mendoj se, kur kjo të ndodhë, atëherë debati politik se si të ecet përpara së bashku dhe jo kundër njëri-tjetrit, do të fillojë sërish”, - tha ai. “Por rreziku nga përdorimi i forcës për të zgjidhur konfliktin në rajon është zbehur dhe kjo është arsyeja pse kishim mundësi që të zvogëlonim në një masë të madhe nivelin e trupave fillimisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe tani edhe në Kosovë”, - shtoi diplomati gjerman. “Zvogëlimi nuk do të thotë tërheqje e plotë. Unë pres që ne të kemi një prani të rëndësishme dhe të vazhdueshme të NATO-s, civile dhe ushtarake, për një kohë të gjatë. Ne nuk po flasim për tërheqje të plotë të trupave dhe kjo do të ishte e parakohshme dhe mbase një sinjal i gabueshëm, por mundësia që me besim po fillojmë të zvogëlojmë trupat është një shenjë e mirë.” Ishinger rikujtoi se gjermanët janë përballur me të njëjtën situatë gjatë viteve 60-70 të, kur Gjermania ishte e ndarë dhe Perëndimorja kishte një pikëpamje tjetër për kombin gjerman nga Lindorja, kishte qëndrime të papajtueshme. “E njëjtë sikurse pikëpamja sot e Beogradit që është e papajtueshme me pikëpamjen e Prishtinës për statusin e Kosovës”, - theksoi Ischinger. Sipas mendimit të tij, shembujt në historinë e re mund të jenë modele të dobishme se si të tejkalohen dallimet e këtilla me hapa praktikë të cilët me kohë do të çojnë drejt zgjidhjes. "Në një periudhë afatgjatë edhe Serbia, edhe Kosova do të futen në BE dhe në atë moment të gjitha diskutimet për atë se kush ka pronësinë mbi cilën pjesë të territorit do të jenë shumë më jorelevante se sa sot", - theksoi Ishinger. Ndërkaq për sa i përket gjendjes në veriun e Kosovës, që mund të shndërrohet në konflikt të ngrirë, Ishinger megjithatë shpreson që kjo të mos ndodhë. Ai beson se është një "pikëpamje dominuese" në BE, por edhe në NATO se territori i Kosovës "do të mbetet territor i Kosovës, pra, një territor nën një qeveri dhe se nuk jemi të interesuar që të kemi një situatë të posaçme në veriun e Kosovës. Unë besoj se problemet me të cilat duhet të jetojmë në veri, gjithashtu brenda një kohe do të zbehen, se në një afat të gjatë kufiri mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë vetëm një vijë e përkufizuar dhe se tregtia, shërbimet dhe njerëzit do të qarkullojnë lirshëm për përfitime edhe të Serbisë edhe të Kosovës.
Ky lajm është publikuar: 12/01/2010