Zbori turk Kuzhe: “Jam i surprizuar nga talentet shqiptare”
Autori i Lajmit: RedaksiaTiranë - Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, kroati Josip Kuzhe, në konferencën për shtyp të mbajtur ditën e djeshme në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, ka vlerësuar pozitivisht grumbullimin e Kombëtares, të zhvilluar në Antalia të Turqisë, javën e shkuar. Ekipi përfaqësues, i përbërë nga lojtarë të përzgjedhur nga Kategoria Superiore, zhvilloi një grumbullim 7-ditor në Turqi, ku luajti edhe dy takime miqësore: ndaj Adanaspor, ku u mund 2-1 dhe ndaj Siirit Jetpa, me të cilët kuqezinjtë barazuan 2-2. Por për Kuzhenë rezultati i këtyre ndeshjeve nuk ka pasur rëndësi, pasi ato qenë thjesht pjesë e fazës përgatitore. “U thashë lojtarëve të mi që në të vërtetë ne nuk ishim një ekip, pasi vetëm me dy ditë stërvitje nuk mund të zhvillosh një ndeshje cilësore. Dhe në fakt, ndaj turqve të Adanaspor, një ekip mjaft cilësor, kemi zhvilluar një pjesë të parë shumë të dobët, pikërisht sepse lojtarët nuk ishin mësuar të luanin me njëri–tjetrin dhe sapo e kishim filluar fazën përgatitore”, - tha kroati. Sipas Kuzhesë, në grumbullimin e Turqisë, ai dhe stafi drejtues i Kombëtares, së bashku me lojtarët, ia arritën qëllimit të tyre, pasi mundën të evidentonin një sërë lojtarësh interesantë dhe kjo, sipas tij, ishte gjëja më rëndësishme në këtë grumbullim. “Në këtë grumbullim përveç lojtarëve që tashmë janë pjesë e ekipit kombëtar si Andi Lila, Elis Bakaj, Emiljano Vila apo Jetmir Sefa, mundëm të evidentonim disa lojtarë të tjerë kandidatë për ekipin kombëtar. Sulmuesi 19-vjeçar shkodran i Vllaznisë, Bekim Bala, sulmuesi 17-vjeçar Vasil Shkurtaj, që luan me të rinjtë e Olimpiakosit si dhe mesfushori Odise Roshi, treguan se janë lojtarë mjaft cilësorë dhe do të shërbejnë për të ardhmen. Po ashtu lojtar cilësor është edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi i Besës, por këta futbollistë duhet të punojnë për të rritur akoma më shumë nivelin e tyre, pasi talenti nuk u mungon",- tha kroati. Gjithashtu, për sa i përket rikthimit të futbollistit durrsak Emiljano Vila në kampionatin shqiptar, pas eksperiencës jo të mirë në Kroaci me Dinamon e Zagrebit, Kuzhe tha se kjo kishte qenë edhe dëshira e tij, pasi Vila nuk po gjente hapësira për tu aktivizuar në Kroaci dhe kjo krijonte probleme në rendimentin e tij me ekipin kombëtar. Kuzhe ka zbuluar edhe planet e tij për të ardhmen në përfaqësuesen e Shqipërisë. “Këto 6 muajt e fundit kemi testuar lojtarë, por tani ka ardhur periudha për të përzgjedhur lojtarët, që do të jenë pjesë e ekipit në eliminatoret e kampionatit evropian. Për këtë na duhet një mesfushor me tipare mbrojtëse si dhe një mbrojtës qendre, pasi janë dy pikat ku ende kemi mungesë lojtarësh”. Në fund Kuzhe dha një këshillë për lojtarët e rinj shqiptarë. “Shqipëria ka talente, – u shpreh Kuzhe,- por kjo duhet shoqëruar me përgatitje fizike dhe teknike individuale nga ana e lojtarëve. Unë do të zhvilloj takime me grupe të vogla lojtarësh pikërisht për këtë punë. Klubet shqiptare punojnë mirë me lojtarët e rinj, por mendoj se ata duhet të punojnë shumë në mënyrë individuale, për të arritur në një nivel të kënaqshëm. Kam dëshirë të vazhdoj punën time dhe stërvitje individuale me këta lojtarë të rinj, por më parë duhet të bien në kompromis me klubet”, - përfundoi Kuzhe.
Ky lajm është publikuar: 12/01/2010