E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishinger:Rusia mund të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës

Ish-përfaqësuesi europian në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, Volfgang Ishinger ka vlerësuar se përmirësimi i raporteve mes Uashingtonit dhe Moskës mund të ndikojë edhe në ndryshimin e qëndrimit rus ndaj Kosovës. "Mendoj se në Kosovë ka pasur vështirësi edhe për shkak të mosmarrëveshjeve mes Uashingtonit dhe Moskës. Fillimi i ri në këto raporte, hap shanse të reja për marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale. Askush nuk duhet të dyshojë se po vjen një kohë e re në raportet mes SHBA-së dhe Rusisë. Besoj se kjo do të reflektohet edhe në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin", ka deklaruar Ishinger në një intervistë për Radion Dojçe Vele. Ishinger ka nxjerrë këtë konstatim nga konferenca e fundit e Mynihut, ku ishte vetë prezent, dhe ku SHBA-ja i ofroi Rusisë, politika të reja në çështjen e armatimit, Iranit, Afganistanit, etj. "Reagimi i Moskës ishte shumë pozitiv. Prandaj, besoj se në javët e ardhshme do të kemi ndryshime serioze në raportet mes Uashingtonit dhe Moskës", ka thënë ai. Ndërkohë që i pyetur për mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të Rusisë edhe ndaj Kosovës, Ishinger është shprehur: "Askush nuk mund ta përjashtojë një gjë të tillë. Nuk pres ndryshimin e shpejtë të qëndrimit të Rusisë ndaj Kosovës, por mendoj se gjërat do të qetësohen dhe se në vitet e ardhshme pozicionet e Moskës dhe Uashingtonit do të afrohen edhe në çështjen e Kosovës. Kjo do të ishte mirë, sepse do t'i kontribuonte stabilizimit të gjendjes dhe forcimit të rolit të Kosovës së pavarur në rajon", ka përfunduar ish-ndërmjetësi europian për cështjen e statusit të Kosovës, gjermani Volfgang Ishinger.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›