Sllovenia mund të ratifikojë protokollin Kroaci-NATO
Parlamenti slloven ka debatuar të mërkurën mbi mundësinë e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të vendit fqinj, Kroacisë në NATO. Parlamenti slloven miratoi me shumicë votash protokollin javën e kaluar, por dy grupe nacionalistësh vendas kërkuan mbajtjen e një referendumi, duke thënë që Zagrebi nuk duhet të bashkohet me Aleancën Veriatlantike në prill, për shkak të kontestit të vijës kufitare midis dy vendeve. Institutit "25 Qershori" dhe partisë jo-parlamentare "Kombi Slloven", iu nevojiten 40 mijë firma qytetarësh për mbajtjen e referendumit. Dy grupet kanë deklaruar se ata do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, vetëm nëse parlamenti do të adoptojë një ligj, i cili do të refuzonte në mënyrë eksplicite cdo legjislacion kroat për vijën kufitare mes dy vendeve. Nga 26 vendet anëtare të NATO-s, vetëm Holanda dhe Greqia kanë mbetur pa ratifikuar protokollin e anëtarësimit të Kroacisë në NATO. Zyrtarët e NATO-s kanë bërë të qartë që dëshirojnë të mirëpresin Kroacinë dhe Shqipërinë në aleancë në samitin e ardhshëm që do të mbahet në fillim të muajit prill, në Strazburg. Kryeministri slloven Borut Pahor iu ka bërë thirrje qytetarëve të tij që të mos e firmosin kërkesën për referendum, duke argumentuar se një gjë e tillë do të nxinte imazhin e Sllovenisë. Sllovenia dhe Kroacia deklaruan pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, por akoma nuk kanë arritur të bien dakord për një pjesë territori dhe një ngushtice detare në kufirin mes tyre.