E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton viziton Xhakartën, ofron bashkëpunim

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka deklaruar në Xhakarta se Indonezia ka një rol drejtuesi për të luajtur në politikën e hapjes që kërkon të nxisë administrata e re amerikane. Ditën e parë të një vizite dyditore në Xhakarta, Klinton ka lavdëruar demokracinë indoneziane që sipas saj, tregon se islami, demokracia dhe modernja, jo vetëm mund të bashkekzistojnë, por të zhvillohen së bashku. "Është e sigurt se Indonezia, duke qenë vendi më i madh mysliman në botë dhe demokracia e tretë më e rëndësishme, do të luajë një rol drejtuesi në nxitjen e vlerave të përbashkëta që kanë të dy vendet", theksoi Klinton në një konferencë për shtyp me homologun indonezian Hasan Uirajuda. Afërsisht 90 përqind e 230 milionë indonezianëve janë myslimanë dhe shumica prej tyre është e lidhur me islamin e moderuar. Klinton bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara i propozojnë Indonezisë të vendosë një partneritet të gjerë rreth këtyre vlerave. Sipas Klinton, kjo tregon vullnetin e ri të Uashingtonit për të dëgjuar dhe për të folur me kombet e tjera. Stafi i sekretares së re të Shtetit të SHBA-së ka bërë të ditur se vizita në Xhakarta do të shërbente për të rivendosur kontaktet me botën myslimane pas tetë vjetësh të presidencës Bush dhe mosmarrëveshjeve të thella lidhur me luftën në Irak ose me konfliktin izraelito-palestinez.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›