E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishka, mungesa e vetme e Kamzës ndaj Bylisit

Nga ILIR CARA

Të dielën kamazalinjtë i pret një sfidë domethënëse, nëse ata synojnë të ecin gjatë në kupë. De Vekis e ka thuajse të plotë grupin

Kamza e trajnerit De Vekis e ka nisur turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë me një barazim 0-0 në transfertë ndaj Kastriotit. Kamzalinjtë objektivat madhorë për këtë sezon i kanë në kampionat, ku kërkohet qëndrimi në kategorinë superiore. Pjesa e parë ka qenë pozitive, pasi nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka u arrit gjysma e qëllimit. Tani i mbetet trajnerit De Vekis që ta përfundojë me sukses rrugën e nisur.

Kamza ka arritur të surprizojë duke bindur edhe skeptikët, pasi pakkush e kishte menduar se ata do ta kalonin grupin e parë të kupës. Por blutë janë mes tetë më të mirave të kupës dhe kërkohet që të shfrytëzohet rasti dhe, pse jo, të kalojnë në gjysmëfinale. Për ta arritur këtë qëllim Kamza duhet që të dielën të mos e diskutojë tripikëshin ndaj Bylisit.

Momentalisht ekipi gëzon një formë të mirë dhe trajneri Mauro De Vekis e ka thuajse të plotë grupin. Mungesa e vetme për kamzalinjtë ndaj ballshiotëve është Sokol Ishka, por rikthehet nga dëmtimi mesfushori Gentian Manuka. Kartoni i kuq që mori në ndeshjen me Kastriotin, e penalizon mesfushorin Ishka të jetë në fushë ndaj Bylisit. Dihet që Ishka me përvojën e tij është një nga ata futbollistë, që trajneri italian beson dhe mbështet në transmetimin e filozofisë së tij.

Futbollistët e Kamzës kanë besim se ndaj Bylisit do të merret fitorja, pasi nëse ata  marrin maksimumin në shtëpi, kalimi në gjysmëfinale të kupës është më se i mundshëm. Nga ana tjetër, Kamza i shikon këto ndeshje të para në grupin çerekfinal të kupës edhe si një mundësi të mirë për të qenë gati për fillimin e fazës së dytë të kampionatit të 73-të. Të dielën kamzalinjtë presin Bylisn për kupë, por pas dy javësh ballshiotët do të jenë sërish mysafirë në Kamzë, për javën e 15-të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›