Laçi nuk dorëzohet, do fitoren ndaj korçarëve
Laçi kërkon fitoren ndaj Skënderbut, teksa drejtuesit e këtij ekipi u kanë kërkuar futbollistëve të harrojnë takimin me Vllazninë, për shkak se nuk ka kohë tashmë të kthejnë kokën pas. Trajneri i ekipit, Përparim Daiu, në një prononcim të tij për mediat, është shprehur: Nuk ka kohë për të qarë takimin që tashmë nuk ka kthim prapa. Laçi duhet të mendojë për ndeshjen e radhës me Skëndërbeun dhe të kërkojë me çdo kusht rikthimin te fitorja.
Ne kemi forca për ta arritur një gjë të tillë dhe mendoj se një fitore me Skënderbeun do të kthente më shumë edhe besimin tek futbollistët dhe stafi për të ecur përpara. Ne kemi në plan ngjitjen në klasifikim dhe kjo kërkon punë e djersë, përkushtim e mbi të gjitha përqendrim. Tashmë unë njoh lojën e çdo futbollisti.
Ata janë në formë shumë të mirë dhe ekipi do jetë më i fortë se në takimin në Shkodër me Vllazninë. Ka dy ditë që ka nisur stërvitjen edhe mbrojtësi i majtë Milenkoviç, i cili zyrtarisht është futbollist i Laçit edhe për një vit. Personalisht kam një bindje që ne këtë radhë do të arrijmë të marrim tri pikë, ndërsa akoma nuk është vendosur se ku do të luajë ekipi, por kjo tashmë nuk është detyra ime.
Për mua rëndësi ka që ekipi të paraqitet sa më mirë dhe të jetë i përqendruar te loja. Futbollistët kanë besim se do ta kalojnë këtë ndeshje dhe janë mjaft të angazhuar për të bërë autoriktikë. Po kështu, edhe moralisht ekipi është mirë. Ndërsa kemi vijuar stërvitjen, edhe pse në temperatura të ftohta, por kjo ka shërbyer edhe për mirë.
