E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, një grup të rinjsh djegin flamurin grek

  Një grup të rinjsh nga Saranda kanë nisur një protestë paqësore, që ka përfunduar me grisjen dhe djegien e flamurit

Policia ka ndërhyrë duke shpërndarë protestuesit. Banorët e Sarandës dënojnë ngjarjen e djeshme

SARANDË- Digjet në Sarandë flamuri grek. Disa të rinj të qytetit jugor kanë reaguar pas provokimeve të disa ditëve më parë në Himarë. Ata kanë zgjedhur mënyrën më të keqe të mundshme duke djegur flamurin grek në qendër të qytetit të Sarandës. Në këtë moment ka ndërhyrë policia lokale, e cila ka shpërndarë protestuesit. Edhe qytetarët e Sarandës kanë reaguar negativisht ndaj kësaj sjelljeje duke e cilësuar si një veprim të disa adoleshentëve dhe jo një urrejtje e banorëve të zonës ndaj popullit grek.

Protesta

Ngjarja ka nisur rreth orës 13.00 të ditës së djeshme në qendër të qytetit të vogël të Sarandës. Një grup të rinjsh dhe adoleshentësh janë mbledhur në shesh duke nisur një manifestim paqësor ndaj situatës së krijuar ditët e fundit në Himarë dhe thirrjeve të bëra në këtë qytezë nga krerët e pushtetit vendor dhe banorët. Të rinjtë sarandjotë kanë dëgjuar "Poshtë shqiptarët" dhe "Duam policë grekë për të mbrojtur të drejtat tona". Për të "kundërshtuar" këto thirrje, disa të rinj nga Saranda, të irrituar të veshur me flamuj kombëtar shqiptarëzbritën në qendër të qytetit. Ata zgjodhën sheshin ku zakonisht zhvillohen mitingjet e partive politike. Fillimisht ata kanë pohuar se janë mbledhur në shenjë kundërpërgjigje me mjete demokratike dhe demonstrim paqësor të kundërshtimeve të tyre ndaj qëndrimeve antishqiptare të kreut të OMONIA-s, Vasil Bollano. Por më pas situata ka nisur të degjenerojë kur të rinjtë sarandjotë kanë nisur thirrjet "Poshtë Bollano", "Himara nuk është Greqi" etj. Kjo situatë ka vazhduar për rreth gjysmë ore teksa të rinjtë nga Saranda manifestonin duke valëvitur flamujt shqiptar dhe simbole shqiptare. Në mbyllje të këtij manifestimi të nisur si paqësor, një grup protestuesish, kryesisht të rinj dhe adoleshentë grisën dhe i vunë zjarrin një flamuri grek. Ata nisën që të digjnin flamurin grek në qendër të qytetit e më pas, në formë loje, të bënin fotografi me të.

Reagimi

Menjëherë në këtë moment ka reaguar policia lokale, e cila ka ndërhyrë duke shpërndarë protestuesit dhe duke shuar zjarrin e nisur prej tyre. Pak çaste më vonë situata është qetësuar duke lënë në mes të sheshit qendror të qytetit të Sarandës copat e djegura dhe të grisura të flamurit bardhë e blu të Greqisë. Qytetarë të ndryshëm nga Saranda pohuan pas ngjarjes se grumbullimi ishte spontan dhe grupi i protestuesve ishte i vogël. Këtij grupi nuk iu bashkuan qytetarë e kalimtarë të rastit që gjendeshin në shesh. Vetë banorët e qytetit të Sarandës pohuan për "Shekullin" se tek ta ekziston një opinion pozitiv për marrëdhëniet me shtetin fqinj dhe një dëshirë e shprehur për vazhdimin e marrëdhënieve vëllazërore jo vetëm me shtetin grek, por edhe me minoritarët si pjesë e një komuniteti që shërben për forcimin e urave të vëllazërimit mes dy popujve. "Ngjarja dhe reagimi i sotëm (dje) duhet të konsiderohet thjesht si një reagim ndaj personave të veçantë dhe jo ndajnacionalitetit grek. Kjo ngjarje nuk duhet të prishë marrëdhëniet mes dy shteteve",- thanë dje banorë të ndryshëm të qytetit të Sarandës.

PRECEDENTI

Sulmi ndaj komisariatit të policisë së Himarës

Dhjetë ditë më parë, në Himarë ka ndodhur një tjetër incident i ngjashëm me atë të djeshmin në Sarandë. Përfaqësues të organizatës OMONIA dhe qytetarë të ndryshëm kanë sulmuar komisariatin e policisë së Himarës me gurë dhe shkopinj. Situata e tensionuar ka vazhduar për minuta të tëra dhe është qetësuar në një farë mënyrë vetëmkur policia ka nisur të qëllojë me armë në ajër për të larguar protestuesit. Ata kanë vazhduar të qëndrojnë të grumbulluar duke hedhur parulla antishqiptare dhe duke pretenduar se Himara është Greqi. Për minuta të tëra ata kanë vazhduar që të hedhin parulla antishqiptare si "Himara nuk është Shqipëri" dhe "Larg shqiptarët nga Himara". Është dashur dërgimi i forcave speciale nga Vlora që situata në qytezën e Himarës të qetësohet. Ngjarja e rëndë është provokuar në një farë mënyre nga krerët e pushtetit vendor të Himarës por edhe nga vizita e Zv/ministrit të Jashtëm grek në qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›