Kakavijë, situatë normale për festën e Pashkës
Gjatë 24 orëve të fundit, kanë hyrë në territorin shqiptar shtatë mijë emigrantë dhe rreth 1500 automjete
KAKAVIJË- Një javë para festës së Pashkëve rritet në mënyrë të ndjeshme niveli i lëvizjeve të emigrantëve shqiptarë, që vijnë në atdhe nëpërmjet Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës. Fundjava ka sjellë në Shqipëri një numër të konsiderueshëm emigrantësh. Burime zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës kanë bërë të ditur se vetëm përgjatë 24 orëve të fundit, kanë hyrë në territorin shqiptar shtatë mijë emigrantë dhe rreth 1500 automjete, një numër ky mjaft i konsiderueshëm në krahasim me ditët paraardhëse. Për të përballuar fluksin gjithnjë në rritje të ardhjes, pala shqiptarë ka vendosur në dispozicion gjithsej 12 sportele, prej të cilave nëntë në hyrje dhe tre në dalje. Ndërkohë, ndryshe nga sezonet e tjera një numër të konsiderueshëm sportelesh ka çelur edhe pala greke, pesë në dalje dhe dy në hyrje. Marrja e këtyre masave ka bërë që me gjithë fluksin e lartë, në Kakavijë, portën hyrëse tokësore më të madhe në vend, të mos krijohen probleme me radhë dhe pritje. Ndërkaq, për të lehtësuar sa më shumë procedurat dhe ardhjen e emigrantëve gjatë ditës së sotme pritet takimi dypalësh ndërmjet policive të Gjirokastrës dhe asaj të Janinës, me prezencën edhe të dy konsujve, përkatësisht konsullit grek të akredituar në Gjirokastër, Kristos Mandellos dhe atij shqiptar në Janinë, Eshref Shehu.