E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishte aksident, mbyllet hetimi për plagosjen e dy komandove



TIRANE – Mbyllet hetimi për dy komando që u rrëzuan nga helikopteri në Zall-Herr, ngjarja konsiderohet aksidentale. Burime të hetimit në kryeqytet pohuan se menjëherë pas lajmit për rrëzimin e tyre nga helikopteri gjatë një manovre stërvitore nisën verifikimet rreth ngjarjes, e cila në fakt ndodhi para atasheve ushtarakë të NATO-s, të cilët po ndiqnin ceremoninë demonstruese në repartin e forcave speciale të ushtrisë shqiptare. Pas verifikimeve në vendngjarje, si dhe ekspertizës mjekoligjore të bërë dy ushtarëve të dëmtuar Alban Kurti dhe Albert Kuçi, kandidatë për të shkuar në misionet paqeruajtëse të ushtrisë tonë jashtë vendit, ka rezultuar se ngjarja ishte aksidentale. Mësohet se dy ushtarët profesionistë po përgatiteshin për tu nisur në një mision paqeruajtës në Afganistan. Dy komandot Alban Kurti dhe Albert Kuçi, pësuan dëmtime serioze gjatë ngjarjes së ndodhur mesditën e së martës së javës së kaluar. Menjëherë pas rrëzimit ata u përcollën me të shpejtë drejt Spitalit Ushtarak ku dhe morën mjekime intensive nga stafi mjekësor. Pas mjekimit Kuçi ka mundur të kalojë rrezikun vetëm me probleme të lehta shëndetësore, pasi kishte pësuar vetëm shembje dhe gërvishtje, ndërsa kolegu i tij, Alban Kurti, ka marrë plagë të rënda, duke thyer krahun dhe këmbën, si dhe ka dëmtuar edhe shtyllën kurrizore. Aksidenti i tyre ndodhi në momentin kur dy komandot po demonstronin zbritjen nga helikopteri në tarracën e një ndërtese. Ose e thënë ndryshe në gjuhën ushtarake, komandot po demonstronin ndërhyrjen nga tarraca në një ndërtesë. Ata janë afruar me helikopter dhe në momentin kur ndodheshin pikërisht mbi tarracë kanë tentuar të zbrisnin në të nëpërmjet litarëve që përdoren në raste të tilla. Por në kohën që ndodheshin vetëm 2- 3 metër ata kanë nisur të zbrisnin me të shpejtë, por mbajtëset e litarit janë hapur para kohe duke bërë që ata të binin në mënyrë të lirë mbi betonin e tarracës. Në këtë moment kanë ndërhyrë kolegët e tyre të cilët i kanë transportuar me të shpejtë drejt Spitalit Ushtarak. Mjekët pohuan pas mjekimeve se fatmirësisht Kurti nuk kishte marrë dëmtime që mund t’i kushtonin gjithë jetën, pasi nuk i ishte prekur palca e kurrizit. Kjo ndoshta nga lartësia e vogël e rrëzimit si dhe mënyra sesi ai kishte rënë. Ato momente në repartin e komandove ndodheshin një numër i madh i atashve ushtarakë të NATO-s, të cilët po ndiqnin stërvitjen e forcave speciale të ushtrisë shqiptare, e cila po përgatitet për misionin e radhës në Afganistan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›