Krutanët “ngrenë kala” në Tiranë
Kastrioti ka mundur në “Selman Stërmasi” Tiranën falë një goli të kroatit Djamarti. Një rezultat surprizë në dukje, që i ka buzëqeshur krutanëve të cilët bëjnë kështu një “autokritikë“ të fortë pas braktisjes së fushës në ndeshjen paraardhëse, në Vlorë. Tri pikë të rikuperuara, në luftën për të mbijetuar në Superligë, e cila mbart në vetvete potenciale të konsiderueshme. Humbja e Tiranës ishte e paparashikueshme, gjithsesi, duke qenë se kanë dalë nga lufta për trofe, bardheblutë nuk e kanë më tendosjen e duhur. Vendi i tretë konsiderohet prej Tiranës si diçka që nuk u kanoset, ndaj edhe ky objektiv është çka ka mbetur në lojë për 24 herë kampionët e vendit. Ndërkohë sfida tjetër mes Shkumbinit dhe Vllaznisë është shtyrë për të paktën 24 orë. Takimi nuk mund të luhej si rezultat i kushteve tërësisht të papërshtatshme për futboll. Fusha e Peqinit ishte kthyer në një gjol, ku uji dhe balta dominonin çdo gjë. Për pasojë, drejtuesit e të dyja skuadrave, por edhe përfaqësuesit e FSHF-së, kanë vendosur të mos luhej dje por sot, gjithnjë duke verifikuar paraprakisht gjendjen e fushës.