E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Plani OK, ne s’ju duhemi



Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel e ka përcjellë kryeministrin Papandreu vetëm me një mbështetje politike, pasi sipas saj Greqia nuk ka nevojë për ndihmë financiare. Ajo e vendosi fokusin në kufizimin e përdorimit të derivateve për të frenuar “spekulatorët” të përfitojnë nga vendet me deficit buxhetor.
Merkel tha se Greqia tani e ka bërë punën e saj dhe se Evropa dhe SHBA-ja duhet të sigurojnë që spekulatorët e tregut financiar nuk do të lejohen të dëmtojnë më tej Greqinë e vende të tjera. “Ne duhet të kemi sukses në frenimin e lojës së spekulatorëve me vendet sovrane”, tha Merkel. Për më tepër, “Shitja e ishujve është jashtë diskutimit”, sqaroi ajo duke refuzuar idenë se ndonjë anëtar i Qeverisë e ka përmendur këtë. Papandreu e mirëpriti fokusin mbi rregullatorin kundër spekulatorëve dhe tha se Greqia “nuk ka kërkuar ndonjë ndihmë financiare”. Merkel vlerësoi përpjekjet e mëdha të Qeverisë greke për miratimin e paketës së kursimit prej 4.8 miliardë euro, për të cilën ajo tha se e bën optimiste se do të nuk duhet ndërhyrje nga jashtë. Merkel ka përgënjeshtruar çdo lloj bisedimi për plan shpëtimi edhe pse vendet e Bashkimit Evropian thuhet se kanë punuar për një plan emergjent për shpëtimin e Greqisë, i cili do të financohej nga qeveritë anëtare. Greqia ka shitur të enjten 5 miliardë euro në bono, me investitorët që e kërkonin më shumë se tri herë ofertën, një ditë pasi Papandreu njoftoi mbi paketën e rritjes së taksave dhe shkurtimit të shpenzimeve. Papandreu, i cili po lëviz në Luksemburg, Berlin, Paris dhe Uashington, po përballet me protesta në vendin e tij kundër masave që kanë si synim deficitin më të madh të buxhetit në Bashkimin Evropian. Hapat janë “të dhimbshëm por ato i kontribuojnë kredibilitetit të Greqisë”, tha ai. Papandreu do ta vizitojë Parisin të dielën për të takuar Presidentin Sarkozi, në turneun që kërkon të marrë mbështetje për vendin e tij, borxhi i të cilit ka shkuar në rreth 300 miliardë euro, shumë më tepër se prodhimi i tij vjetor ekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›