E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani shkarkohet nga posti i presidentit



Leonard Karaj

Albert Xhani është shkarkuar nga drejtimi i KF Partizani. Asambleja e mbledhur dje nga aksionari tjetër i klubit Paro Laçi ka votuar për largimin e presidentit. Në një konferencë për shtyp, dje drejtuesit e klubit kanë prezantuar strukturat e reja. Një prej aksionerëve të klubit, Paro Laçi ka shkarkuar nga detyra e presidentit, Albert Xhanin, i cili sipas tij nuk do ta ketë më këtë titull, por do të jetë thjesht një aksioner. “Përplasjet e mia të para me zotin Xhani, kanë ardhur në 14 janar, dhe kjo për shkak se është mësuar me një metodë pune jo të drejtë. Ai është mësuar me një praktikë pune që afron aksionerë dhe në fund i thotë: ‘Ik largohu se s’ka çfarë të duhet Partizani’. Por me mua një gjë e tillë nuk funksionon. çdo aksioner sado përqindje të ketë, duhet t’i përmbushë ato sipas rregullave. Dua të saktësoj edhe diçka, që tani e tutje, Albert Xhani, nuk do të ketë më asnjë titull brenda skuadrës. Ai do të jetë thjesht një aksioner”, u shpreh Laçi në lidhje me statusin që do të ketë tani e tutje ortaku i tij.
Ndërkohë Bejkush Birçe është emëruar president nderi i Partizanit ndërsa Sulejman Starova do të vazhdojë të mbajë postin e Drejtorit Teknik. “Ky ekip do të ketë një president nderi dhe pikërisht Bejkush Birçen. E vlerësoj kontributin që ka dhënë Xhani në këto vite për Partizanin, pasi ka arritur deri aty sa ka sakrifikuar edhe mirëqenien e tij dhe të familjes së tij”, ka pohuar më tej Laçi. Ndërkaq për aksionerin e tretë Lulzim Sallaku, Paro Laçi, tha që ai vazhdon të jete pjesë e klubit. “Më duhet që të konfirmoj se te Partizani vazhdojnë të jenë sërish tre aksionerë. Lulëzim Sallaku nuk është tërhequr, pasi në një shoqëri aksionere askush nuk mund të tërhiqet dhe të bëjë kalim aksionesh në këtë mënyrë. Kështu që ai duhet që të kontribuojë për pjesën e tij në këtë skuadër”. Por në fakt vetë Sallaku gjatë një prononcimi para tri ditësh pati kërkuar largimin definitiv nga KF Partizani duke i kthyer aksionet sërish Albert Xhanit.

Starova: Xhani duhet të largohet

Pro largimit të Albert Xhanit nga KF Partiznai është shprehur dje edhe Drejtori Teknik i klubit, Sulejman Starova. Sipas tij Xhani i ka dhënë shumë këtij klubi por tanimë i ka ardhur koha që ti lëshojë vendin për të bërë të mundur ndërtimin e një skuadre moderne. “Albert Xhanit ka dhënë një kontribut të madh te Partizani dhe unë e respektoj për atë që ka bërë duke rrezikuar edhe të ardhurat e familjes së vet. Por neve duhet të na interesojë harmonia në klub, por për momentin paratë i ka dhënë vetëm Paro Laçi ndaj kjo gjë duhet të marrë fund një herë e mirë. Ne nuk e duam Partizanin që edhe kur të ngjitet në Superiore të luftojë për vendin e katërt, të pestë dhe aq më pak në vendin e dytë, sepse ky vendi i dytë më dhemb, por e duam Partizanin të luftojë për trofe. Ndaj do bashkëveprojmë me strukturat e shtetit dhe me shpresën në ndryshimin edhe të drejtuesve të federatës do të kemi edhe një futboll më të pastër. Unë besoj tek bashkimi, paqja, mirëkuptimi”, ka pohuar Starova.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›