Ndryshoi shuma e kompensimit,pronarët padi Ministrisë
TIRANE – Shtatë banorë të komunës Novoselë, Vlorë, padisin në gjykatë Ministrinë e Transporteve dhe Këshillin e Ministrave për çmimin me të cilin do t’u kompensohet toka e prekur nga ndërtimi i segmentit rrugor Levan-Vlorë. Për shkak se në kohën kur u kompensuan bashkë komunarët e tyre, ata nuk zotëronin certifikatat e pronësisë, tashmë ata do të përftojnë për metër katrorë një çmim disa herë më të ulët. Padia e depozituar pak ditë më parë në gjykatën e Tiranës mban si palë paditëse banorët Bekim, Farudin Zydi e Lirim Metaj, si edhe Shezai Selman e Astrit Mecaj. Sipas padisë, në listën e kërkesës për Shpronësim Publik në datë 17.12.07 në kolonën që u korenspondonte pronave të tyre ishte bërë shënimi “i paidentifikuar”. Sipas kësaj liste të shpronësuarit përfitonin 1600 lekë për metër katror, kompensim që e përfituan pronarët e prekur. Ndërkohë në vazhdim shtatë paditësit u pajisën me certifikatat e pronësisë. Por kompensimi i pronës së tyre është zvarritur. Në shkurt të vitit 2010 atyre u është komunikuar se në bazë të një liste të re e datës 23.12.2009 për vlerësimin e pronave të prekura nga “Levan-Vlorë” kompensimi ishte parashikuar 550.8 lekë për metër katror. Për rrjedhojë paditësit do të kompensoheshin me çmimin e ri. Për këtë shkak ata i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës. ar.ba