NATO,strategji të re për Afganistanin
Shefat e NATO-s kanë deklaruar në takimin e Polonisë se militantët që luftojnë ndaj forcave të aleancës në Afganistan po përpiqen që të destabilizojnë edhe Pakistanin fqinj, dhe se aleanca veriatlantike duhet të bëjë më shumë përpjekje në konfliktin afgan. Takimi i Polonisë filloi në një kohë kur parlamenti i Kirgistanit votoi për mbylljen e bazës së fundit ajrore amerikane në Azinë Qendrore. "Unë e di se disa nga aleatët tanë e kanë pritur keq vendimin e Kirgistanit, por di gjithashtu se ekziston një fleksibilitet i plotë për furnizimin logjistik për NATO-n dhe aleatët e saj. Ne do të vazhdojmë me furnizimet, gjithashtu edhe aleatët tanë do të bëjnë një gjë të tillë, aq sa forcat tona ushtarake të kenë nevojë", tha zëdhënësi i NATO-s Xhejms Apaturai, në lidhje me mbylljen e bazës amerikane në Kirgistan. Forcat ndërkombëtare po luftojnë me militantët talebanë në Pakistan, vendin fqinj të Afganistanit. "Të nderuar kolegë, prioritetet tona për vitin 2009 janë të qarta. Qëllimi ynë, ashtu si gjithmonë, është që të rritim përgjegjshmërinë e lidershipit afgan. Ne do të ekzaminojmë jo vetëm shtrirjen e mbështetjes tonë për kombin afgan, por edhe mënyrat për rritjen e mbështetjes për policinë kombëtare të Afganistanit", deklaroi shefi i përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, iu kanë bërë thirrje vendeve aleatë të NATO-s që të shtojnë dhe të forcojnë nivelin e trupave e të sigurisë në Afganistan, në luftën kundër talebanëve. Komentet janë bërë nga sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts përpara samitit të NATO-s.