E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: “Dënojmë qëndrimin kokëfortë të Berishës përpara KE-së për ligjin e dosjeve”



Partia Socialiste denoncon qëndrimin e papërgjegjshëm që kryeministri Sali Berisha po mban përpara faktorit ndërkombëtar në lidhje me ligjin e dosjeve. Deputeti socialist Kastriot Islami, duke komentuar vizitën e raporterëve të KE-së në Shqipëri në lidhje me këtë çështje, denoncoi mungesën e bashkëpunimit të qeverisë. “Ligji i lustrimit ka qenë tema kryesore që ka angazhuar dhe shqetësuar maksimalisht bashkëraportuesit e KE-së. Dihet tanimë qëndrimi i PS-së: Ky ligj është miratuar në mënyrë të njëanshme vetëm nga maxhoranca, shkel Kushtetutën në më shumë se 28 raste, është i pazbatueshëm dhe në dhunim me parimet dhe orientimet e APKE-së të vitit 1996. Ky ligj ka për synim të dëmtojë apo të paralizojë Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë. Ky ligj vjen në momentin kur për herë të parë Prokuroria e Përgjithshme ka filluar të godasë korrupsionin e nivelit më të lartë, të kabinetit “Berisha”, të ministrave të tij kryesorë dhe të të gjitha fijeve që shkojnë te kryeministri dhe familja e tij.
Largohen të shqetësuar si asnjëherë tjetër bashkëraportuesit e KE-së. Arsyeja bazë është se qeveria “Berisha” jo vetëm nuk ishte bashkëpunuese, por fatkeqësisht e vendosur për të vazhduar me kokëfortësi rrugën e saj”, - tha Islami.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›