E Diel, 1 Nëntor 2026

Raportuesit: “Presim që qeveria të tërhiqet nga ligji i dosjeve”

KE-ja do ta dërgojë ligjin për shqyrtim në Komisionin e Venecias. Berisha u ankohet raportuesve për Ramën dhe Gjykatën Kushtetuese

Eljona Ballhysa
Raportuesit e KE-së kanë deklaruar dje piketat e para të raportit të Këshillit të Europës për Shqipërinë që do të publikohet në muajin mars. Dy raportuesit, Jako Lakso dhe Dejvid Uilshajër, janë shprehur në përfundim të takimeve me personalitetet më të larta të politikës dhe shtetit shqiptar se ligji i dosjeve ka vend për ndryshim dhe presin që qeveria shqiptare të pranojë ndryshimin e ligjit. Ata janë shprehur se do ta dërgojnë ligjin për shqyrtim në Komisionin e Venecias. Raporterët, të pyetur për çështjen ‘Biberaj”, kanë bërë të ditur se nuk është në tagrin e tyre të merren me emra të veçantë, por vetëm të shqyrtojnë procedurat e ndjekura nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas tyre, konkluzionet për këtë dhe për çështje të tjera do të pasqyrohen në raportin e KE-së që do të publikohet më 31 mars.
Raporterët
Gjatë tri ditëve në Tiranë, raporterët e Asamblesë së Këshillit të Europës kanë zhvilluar takime me të gjithë faktorin politik shqiptar. Ata kanë marrë informacion të zgjeruar për ligjin e dosjeve, situatën parazgjedhore, çështjen “Biberaj”, marrëdhëniet e qeverisë me mediat, si dhe për ecurinë e reformave në vend. Në përfundim të këtyre takimeve, raporterët kanë dalë me konkluzionin se ligji i dosjeve ka vend për ndryshime dhe se qeveria shqiptare duhet t’i pranojë ato. “Askush nuk ka sugjeruar që Shqipëria të mos ketë një ligj lustracioni. Kjo i takon shqiptarëve ta përcaktojnë. Ne erdhëm këtu të shohim detajet e ligjit dhe përputhshmërinë e tij me të drejtat e njeriut dhe të vlerësojmë nëse mund të ndryshojmë ndonjë gjë. Kam përshtypjen se ka vend për diskutim”, - është shprehur për mediat raporteri Uilshajër. “Qeveria shqiptare ka bashkëpunuar gjithnjë me KE-në dhe BE-në ndaj u habitëm që këtë herë ajo nuk u konsultua për ligjin e dosjeve. Nuk është detyrë e Këshillit të Europës të shqyrtojë ligjin, ndaj mendojmë t’i drejtohemi Komisionit të Venecias për t’u shprehur për përmbajtjen e ligjit. Duket se duhet riparë ky ligj pasi është kritikuar jo vetëm nga KE-ja, por dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare. Fatkeqësisht, qeveria shqiptare nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojë për rishikimin e tij, por shpresojmë që ajo të ndryshojë mendim. Në fund të marsit do të jetë gati raporti dhe besojmë se do të ketë në të dhe mendimin e Komisionit të Venecias. Do të bëjmë propozimet e posaçme pasi të marrim sugjerimet e Komisionit të Venecias”, - është shprehur raporteri Lakso. Lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe monitorimin e tyre, ata thanë se shumë shpejt do të vijnë në Shqipëri ekspertë të tjerë për të folur me qeverinë shqiptare.
Qëndrimi i qeverisë
Gjatë mëngjesit të djeshëm, raporterët kanë zhvilluar një takim të zgjeruar me kryeministrin Berisha për ligjin e dosjeve. Kryeministri Berisha ka pranuar shqyrtimin e ligjit nga Komisioni i Venecias, ndërsa ka bërë të ditur se opozita nuk e pranon ligjin për shkak të konfliktit të interesit të kryetarit të saj Edi Rama. “Ligji u miratua në këtë periudhë sepse për dy vjet me radhë është negociuar me partitë e tjera politike dhe në korrik 2008, kur maxhoranca pranoi amendamentet e paraqitura nga opozita, por që për arsye që nuk kanë të bëjnë me qeverinë, por me kryetarin e opozitës, kjo e fundit refuzoi konsensusin final”, - është shprehur Berisha. Ai u ka bërë të ditur raporterëve se respekton shtetin ligjor dhe vendimet e institucioneve shtetërore duke përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese, por vuri theksin te nevoja e integritetit të zyrtarëve duke nënvizuar se konflikti i interesit vjen në kundërshtim me standardet etike të integritetit të zyrtarëve të lartë. Berisha, ashtu sikurse dhe kryetarja e Kuvendit Topalli, theksoi se ligji aktual është një version më i zbutur në krahasim me ligjin e 1995-s dhe synon kufizimin e përkohshëm të ushtrimit të funksioneve publike, si dhe është në frymë të plotë me të gjitha vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat të Njeriut në lidhje me çështjet e lustracionit.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›