E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi thekson se do të jetë garant i Kushtetutës



Në ditën e fundit të vizitës së tyre në Tiranë, dy raportuesit e Këshillit të Europës, Jako Lakso dhe Dejvid Uilshajër, zhvilluan një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Gjatë këtij takimi, raportuesit morën informacion mbi situatën politike në Shqipëri, për përgatitjen e procesit zgjedhor, si dhe për ecurinë e reformave në Shqipëri. Presidenti Topi u ka garantuar raportuesve të KE-së se do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të vendit. “Si kryetar i shtetit do të vazhdoj të jem garant i Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe ruajtjes së ekuilibrave politikë e shoqërorë, duke luajtur rolin si katalizator për konsolidimin dhe forcimin e institucioneve të pavarura kushtetuese në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në familjen e madhe europiane dhe strukturat euroatlantike”, - është shprehur Topi në këtë takim. Bashkëbiseduesit në këtë takim trajtuan tema aktuale e të rëndësishme të zhvillimeve në vend, duke u përqendruar kryesisht në ecurinë e reformave kyçe, realizimi i të cilave është një nevojë dhe domosdoshmëri në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe NATO. Presidenti Topi bëri një panoramë të reformave dhe përpjekjeve të vazhdueshme e konsensuale në drejtim të përmirësimit të sistemit gjyqësor në vend, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për përgatitjen dhe realizimin me sukses të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të lira, të pakontestuara dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Dy raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jako Laks dhe Dejvid Uilshajër, vunë në dukje përparimin dhe tranformimet e mëdha të shënuara nga vendi ynë, sidomos gjatë viteve të fundit, e siguruan kreun e shtetit për gatishmërinë e bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë përkrahjen dhe ndihmesën eksperte ndaj vendit tonë në funksion të arritjes së standardeve demokratike, konsolidimit të institucioneve të pavarura demokratike e kushtetuese dhe përmbushjes së aspiratave integruese të Shqipërisë.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›