E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja organizon ish-drejtuesit e saj vendorë në fushatën elektorale

Ndër 10 grupet e krijuara nga Shtabi Elektoral është edhe ai për organizimin e personave me eksperiencë drejtimi

Shaban Sulçe

Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste ka vendosur si objektiv që të organizojë fuqishëm në fushatën elektorale të gjithë ish-drejtuesit ndër vite të PS-së në nivel lokal, në nivel organizatash, kryesish apo komitetesh drejtuese. Selia rozë e konsideron shumë të rëndësishëm kontributin e “veteranëve” të saj gjatë fushatës elektorale për betejën e 28 qershorit. Për këtë arsye, ndër 10 grupet e ngritura nga shtabi elektoral, është edhe grupi për për organizmin e personave me eksperiencë drejtimi (ish-drejtuesve). Ky grup drejtohet nga ish-deputeti i PS-së, Ethem Ruka, ndërkohë që anëtar është caktuar ish-deputeti tjetër i PS-së, Viktor Doda. Në një prononcim për gazetën “Albania”, Ethem Ruka, drejtues i këtij grupi, shpjegon se qëllimi i grupit është organizimi i të gjithë ish-drejtuesve të PS-së në funksione partiake dhe politike, të cilët aktualisht nuk janë në funksione të tilla. Sipas Rukës, organizimi i ish-drejtuesve të tillë do të jetë shumë i rëndësishëm, pasi ata do të luajnë një rol kyç gjatë fushatës elektorale. “Qëllimi i krijimit të këtij grupi pune pranë Shtabit Elektoral ka për synim evidentimin, mbajtjen e kontakteve, koordinimin dhe aktivizimin në fushatën elektorale të të gjithë ish-drejtuesve të Partisë Socialiste ndër vite, të cilët kanë pasur detyra politike dhe partiake, por që aktualisht nuk janë më në funksione të tilla. Ky organizim është me rëndësi të veçantë në kuadër të përgatitjeve paraelektorale të Partisë Socialiste, pasi ata do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm gjatë fushatës elektorale”, - u shpreh Ruka.

Grupi
Grupi i punës për organizimin e personave me eksperiencë drejtimi (ish-drejtuesve) drejtohet nga Ethem Ruka, ndërsa anëtar është Viktor Doda. Sipas strategjisë së hartuar nga Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste, ky grup ka për detyrë që të evidentojë të gjithë personat me eksperiencë drejtimi në të gjitha organizatat socialiste, bashkitë, komunat, rrethet dhe qarqet e vendit. Evidentimi dhe organizimi i tyre do të realizohet me anë të caktimit të kordinatorëve. Gjithashtu strategjia parashikon hartimin e një udhëzuesi për të gjitha organizatat socialiste, ku përcaktohet angazhimi dhe roli që do të luajnë ish-drejtuesit gjatë përgatitjeve paralektorale dhe gjatë fushatës. Strategjia parashikon organizimin e takimeve me personat e kësaj kategorie, të cilëve do t’u caktohen zonat, ku ata do të kontriboujnë gjatë fushatës elektorale.

Strukturat

Strategjia e Shtabit Zgjedhor të Partisë Socialiste kërkon nga grupi i punës për kontaktet me strukturat vendore të PS-së që të ndjekin veprimtarinë për ngritjen e shtabeve të organizimit elektoral në nivelet e qarqeve, rretheve, bashkive dhe komunave.
Grupi i punës do të shpërndajë në këto shtabe lokale udhëzuesit me detyrat përkatëse për veprimtarinë e tyre gjatë fazës paraelektorale, gjatë fushatës elektorale, si dhe gjatë ditës së votimit. Grupi i punës për kontaktet me strukturat vendore të PS-së do të ndjekë veprimtarinë e këtyre shtabeve të organizimit elektoral dhe rezultatet e tyre duhet t’i raportojë pranë Shtabit të Përgjithshëm Elektoral të Partisë Socialiste. Një vëmendje të veçantë po u kushtohet edhe bordeve të qytetarëve të PS-së në kuadër të përgatitjeve elektorale. Kështu, grupit të punës që merret me këtë çështje i është kërkuar ngritja e bordeve të dialogut qytetar në të gjitha qarqet dhe bashkitë e vendit. Për bordet e krijuara deri tani janë përcaktuar edhe detyrat konkrete që duhet të ndjekin, ndërkohë që janë shpërndarë udhëzimet për mënyrën se si duhet të organizohet dhe të funksionojë veprimtaria e tyre. Grupi i punës në Shtabin Elektoral të Partisë Socialiste që merret me bordet e qytetarëve do të ndjekë nga afër veprimtarinë e tyre, ndërkohë që për rezultatet do të raportojë në Shtab.

Grupet e punës pranë Shtabit Zgjedhor të PS-së

1-Grupi i kontakteve me strukturat vendore të PSSH-së

2-Grupi për bordet e dialogut qytetar dhe marrëdhëniet me shoqërinë

3-Grupi për organizimin e vullnetarëve

4-Grupi për komunikimin mediatik

5-Grupi për organizimin e personave me eksperiencë drejtimi
(ish-drejtuesve)

6-Grupi për marrëdhëniet me organizatat e veteranëve dhe Shoqatën e ish-Ushtarakëve

7-Grupi i kontakteve dhe marrëdhënieve me emigrantët

8-Grupi për trajtimin ligjor dhe administrativ të zgjedhjeve

9-Grupi për krijimin e bazës së të dhënave të keqqeverisjes

10-Grupi i librit të kontakteve të Partisë

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›