Islami: Do presim dhe një javë për kartat
Aristir Lumezi
Nënkryetari i komisionin ‘ad hoc,’ Kastriot Islami dha dje ultimatum ndaj qeverisë që të ndryshojë qëndrim për procesin e pajisjes me karta identiteti. Islami në një konferencë për shtyp, pas mbledhjes së djeshme të komisionit, tha se deri javën e ardhshme qeveria duhet të japë propozime të reja, pasi procesi është afër dështimit. “Na rezulton se situata është bërë më alarmante. Situata po përkeqësohet dhe rreziku po rritet në kuptimin e ezaurimit të kapaciteteve për pajisjen me karta identiteti të votuesve pa pasaportë. Besoj se java e ardhshme do të përbënte në këtë kuptim një pikë refleksioni, një pikë ku gjithçka mund të bëhej e pa riparueshme”, tha Islami. Në përfundim të këtij afati, i cili nuk premton asnjë zgjidhje, për shkak të kohës së shkurtër deri në zgjedhje, socialistët, sipas Islamit, do të bëjnë propozimet e tyre që do ndihmonin në daljen nga situata. “Nëse PD do të rezultojë e paaftë dhe do të pranonte se nuk mund ta kryejë këtë proces, në vijim, në bazë të platformës që kemi, do bëjmë të gjitha propozimet adekuate”, tha Islami. Sekretari socialist për çështjet zgjedhore tha dje se Partia Socialiste nuk do të lejojë që rezultati i zgjedhjeve të manipulohet, për shkak të një procesi defektoz të pajisjes së shtetasve me karta identiteti. “PS në asnjë rast nuk do të lejojë ndryshimin e fitores së saj të 28 qershorit, përmes manipulimit selektiv me kartat e identitetit. Kjo lojë me kartat do të diskreditohet në sy të të gjithë shqiptarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë”, tha Islami. Sekretari socialist tha se PS është e vendosur të respektojë Kodin Zgjedhor për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme. “PS që në momentin që është bërë Kodi Zgjedhor, pra që kur janë përcaktuar nenet për datën e zgjedhjeve, ka qenë e vendosur që zgjedhjet të zhvillohen më 28 qershor 2009”, tha Islami. Edhe dje socialistët i kërkuan qeverisë të pajisë me karta identiteti falas të gjithë ata që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit, pasi ky do të ishte një nga standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Partia Socialiste i kërkon qeverisë të heqë taksën e votimit dhe për mos luajtur me indiferentizmin, që po shkatërron elementin kohor dhe po ezauron kapacitet”, tha Islami. Sipas tij, “zgjedhjet do të jenë konform standardeve ndërkombëtare, vetëm nëse të gjithë votuesve u garantohet e drejta e votimit, që sipas Kodit Zgjedhor sigurohet vetëm me pasaportë e letër njoftimi elektronike”.
Socialistët shprehen se po ndjekin situatën me kujdes dhe do të përcaktojë qëndrimin e tyre sipas zhvillimeve të saj. “Qëndrimi ynë do të bëhet i njohur në çdo moment, në vartësi të situatës. E thashë se java tjetër mund të rezultojë e pamjaftueshme në kohë për të kryer procesin e kartave, nga pikëpamja teknologjike dhe teknike e kapaciteteve për të realizuar këtë proces”, tha Islami.