E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikantët e drogës, luftë me policinë

 

SHKODER / RIDVAN DIBRA

Dy oficerë policie plagosen duke u përleshur trup me trup gjatë një operacioni për të ndaluar tre kushërinj që transportonin drogë në një fshat të Malësisë së Madhe. Fatmirësisht, ata u kanë shpëtuar plumbave të automatikëve që mbanin trafikantët, duke ua hequr nga duart vetëm pas 2 orësh shkëmbim zjarri.
Gjendja shëndetësore e policëve është jashtë rreziku për jetën, ndërkohë që gjatë përleshjes ka mbetur i plagosur edhe njëri nga autorët, i cili ka rrëshqitur gjatë përleshjes, duke iu përplasur koka mbi një shkëmb. Aktualisht, Sabah Vuçaj ndodhet në sallën e reanimacionit të spitalit të Shkodrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22:30 në fshatin Bratosh, në një rrugë rurale që lidh atë me fshatin Vuçaj. Mësohet se mes policisë dhe të ndaluarve ka pasur një shkëmbim të gjatë zjarri, i cili ka zgjatur deri rreth orës 01:30 të mëngjesit, kur më pas tre kushërinjtë e çarmatosur u vunë në pranga. Në vendngjarje policia bllokoi dhe rreth 8 kg lëndë narkotike kanabis sativa, tre armë si dhe fishekë.
Sipas informacioneve nga komisariati i Malësisë së Madhe, mësohet se operacioni nisi mbrëmjen e së enjtes, midis fshatrave Bratosh dhe Vuçaj, pas informacioneve të marra se tre kushërinjtë Sabah, Mondi dhe Besnik Vuçaj kishin me vete një sasi lënde narkotike. Një grup forcash të policisë u zunë pritë në një segment të këtij aksi rrugore, derisa kanë parë djemtë t’u afroheshin. Në atë moment policët i kanë bërë thirrje atyre që të ndalojnë për t’i kontrolluar, por kushërinjtë sapo konstatuan praninë e uniformave blu nisën të qëllojnë menjëherë në drejtim të tyre. Megjithëse policët janë munduar t’i bindin të rinjtë të dorëzohen, ata kanë vazhduar të qëllojnë në drejtim pa pushim. Dhe nga ana e policisë ka pasur kundërpërgjigje, por plumbat e lëshuar në errësirë të plotë nuk lënduan asnjë palë. Para një fakti të tillë, grupi gatshëm i komisariatit të Malësisë së Madhe kërkoi përforcime, në mbështetje të të cilit shkoi një tjetër grup i gatshëm si dhe tre nga FNSH-ja e Shkodrës. Menjëherë drejt vendngjarjes u nis dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Vetëm rreth 90 minuta pas mesnate, tre trafikantët kanë mbetur pa fishekë, duke bërë që policia të përparojë drejt zonës ku ndodheshin ata. Në këtë moment, në pamundësi për të reaguar me armë, autorët kanë nisur përleshjen trup më trup me punonjësit e policisë. Gjatë kësaj përleshjeje dy policët Erdit Rreceku dhe Ilmi Gjona morën plagë, pasi kushërinjtë në tentativë për të shpëtuar i kanë kafshuar në kokë e goditur me grushte. Gjithashtu mësohet se njëri prej tre kushërinjve gjatë përleshjes është përplasur mbi një shkëmb, ku ka mbetur i plagosur rëndë. Policia bllokoi 3 armë zjarri, dy automatikë dhe një pushkë si dhe 7.7 kg kanabis sativa.
Sipas policisë së Malësisë së Madhe, kushërinjtë Sabah, Mondi dhe Besnik Vucaj, përkatësisht 22 dhe 26-vjeçarë, dyshoheshin se merreshin me trafik droge drejt Malit të Zi, duke shfrytëzuar rrugët malore të zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›