E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, Rama: Berisha të dëgjojë ndërkombëtarët

 

Kryetari socialist, Edi Rama, i bëri thirrje Kryeministrit Berisha të dëgjojë rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë për krizën ekonomike. Rama ishte në Shijak, bashkë me Vullnetarët e Bashkimit për Ndryshim, ku është ndalur kryesisht në krizën ekonomike dhe efektet negative që ajo mund të ketë në jetën e vendit, nëse nuk merren masa. Duke pohuar se kriza është globale, Rama përsëriti se është përgjegjësi e Kryeministrit dhe e qeverisë për të menaxhuar pasojat e kësaj krize, duke marrë si bazë edhe sugjerimet e partnerëve financiarë ndërkombëtarë. “Ne nuk jemi këtu për të vënë një alarm që të shkaktojë pasiguri dhe konfuzion. Jemi këtu për të këmbëngulur se efektet e krizës globale po thellohen për shkak të Sali Berishës dhe qeverisë shqiptare. Në rast se Kryeministri dhe qeveria vazhdojnë ta mohojnë krizën, ajo do të na përpijë në një përmasë që nesër do të jetë shumë vonë për ta kufizuar dhe kontrolluar”, tha Rama. Kreu socialist tha se me këtë qëndrim që mban Kryeministri ndaj krizës dhe paralajmërimeve të ndërkombëtarëve, po e rikthen vendin në situatë të ngjashme me 1996. “Sot Shqipëria rrezikon të gjendet përpara një hendeku tjetër të pakapërcyeshëm, si ai që u gjend kur Kryeministri ynë, i njëjti, kur ishte President i Republikës, nuk dëgjoi në vitin 1996 kambanat e FMN”, tha Rama. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›